Të gjithë sytë kah Newcastle në afatin e dimrit

Tre muaj pasi blerja kontroverse nga një fond i Arabisë Saudite mori dritën jeshile nga Premier League, Newcastle ka mundësi të shpenzojë pasurinë e re në afatin kalimtar të janarit.

Ekipi ka shumë nevojë për përforcime vetëm për të mbetur në Premier League, pasi e ka fituar vetëm një nga 19 ndeshjet e këtij edicioni. Dy ndeshjet e fundit të Newcastlet janë shtyrë sepse klubi nuk ishte në gjendje të krijonte një ekip me lojtarë të mjaftueshëm për shkak të infeksioneve me koronavirus.

Po ashtu numri i lëndimeve po rritet dita ditës, gjë që mund të diktojë se kush do të arrijë në stadiumin “St. James’ Park” në 26 ditët e ardhshme.

Mbrojtësit pritet të jenë në krye të listës së blerjeve pasi Newcastle pranoi 80 gola në vitin 2021, që është rekord në Premier League. 42 prej golave kanë ardhur këtë edicion.

“Me siguri se do të bëjmë përforcime gjatë këtij muaji pasi kemi shumë nevojë. Ne tashmë e kemi parasysh se kënd duhet ta transferojmë dhe jemi në negociata”, ka thënë trajneri Eddie Howe.

Në fakt, mediumet angleze kanë raportuar se Newcastle po synon të bëjë deri në nëntë transferime gjatë këtij muaji, gjë që nuk është mohuar e as pohuar nga trajneri Howe.

Mbrojtësi i krahut të djathtë, anglezi Kieran Trippier, pritet të jetë përforcimi i parë i Newcastlet që është gati të paguajë Atletico Madridin deri në 25 milionë euro. Qendërmbrojtësi i Lille, Sven Botman, pritet ta pasojë Trippierin.

“Trippier është një futbollist i jashtëzakonshëm që na ka dhënë shumë dhe ne do të përpiqemi ta mbajmë atë. Por në ditët e sotme kur një lojtar dëshiron të largohet, nuk mund ta detyrosh të qëndrojë”, ka pranuar trajneri i Atleticos, Diego Simeone.

Lëndimet në sulm te Newcastle, të lojtarëve si Callum Wilson dhe Allan Saint-Maximin, kanë bërë që disa sulmues yje të lidhen me një lëvizje në ekip, duke përfshirë atë të Arsenalit, Pierre-Emerick Aubameyang.

Aktivitetin më të madh të transferimeve jo vetëm në Premier League, por edhe në Evropë, pritet ta ketë Newcastle. Megjithatë, nuk pritet të ketë shumë aktivitet në këtë aspekt nga skuadrat që janë në krye të tabelës si Manchester City e Chelsea. City është lider dhe ka dhjetë pikë më shumë se Chelsea.

City ka shitur Ferran Torresin te Barcelona për 55 milionë euro. Trajneri i Cityt, Pep Guardiola, ka konfirmuar se përkundër largimit të Torresit, nuk do të kërkojë përforcime gjatë janarit.

Chelsea është përfolur për një lëvizje për Lucas Digne të Evertonit për të mbuluar mbrojtësin e majtë Ben Chilwell, i cili është lënduar dhe nuk pritet të kthehet deri në fund të edicionit. Londinezët po e kërkojnë huazimin e francezit Digne që ka prishur raportet me trajnerin Rafael Benitez.

Liverpooli duket se do të mbështetet në rezervistët për të përballur mungesën e Mohamed Salahut, Sadio Manes e Naby Keitas, të cilët do të paraqiten në Kupën e Afrikës. Perspektiva e pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm mund të joshë Arsenalin, Tottenhamin ose West Hamin të forcohen, teksa luftojnë për ta mbyllur kampionatin në katër pozitat e para. Manchester Unitedi, që ka mbetur prapa, pritet të ketë më shumë largime, sesa transferime, me trajnerin e përkohshëm Ralf Rangnick që ka pranuar se skuadra e tij është “shumë e madhe”.

Reprezentuesi i Francës, Anthony Martial, raportohet se është afër një huazimi te Sevilla, pasi shprehu dëshirën e tij për t’u larguar, ndërsa Dean Henderson, Jesse Lingard, Juan Mata dhe Donny van de Beek gjithashtu mund të lëvizin në kërkim të minutazhës më të madhe.

“Mendoj se kemi shumë lojtarë dhe mbetet të shihet se si do të shkojnë gjërat gjatë këtij muaji”, ka thënë Rangnick, i cili deri diku ka konfirmuar largimin e Martialit.