Të paktën 14 palestinezë të vrarë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite vranë të paktën 14 palestinezë gjatë një bastisjeje në Bregun e pushtuar Perëndimor, ndërkaq një shofer i autoambulancës u vra teksa po bartte të plagosurit nga një sulm i ndarë nga kolonët hebrenj, thanë autoritetet palestineze.

Forcat izraelite nisën një bastisje të madhe të premten në zonën e Nur Shams, afër qytetit Tulkarm, dhe shkëmbimi i zjarrit vazhdoi edhe të shtunën.

Në Nur Shams janë parë edhe të paktën tri dronë. Në këtë zonë strehohen refugjatët që janë pasardhës të palestinezëve që u zhvendosën nga lufta e vitit 1948, në kohën kur u krijua shteti i Izraelit.

Brigada e Tulkarmit, që përbëhet nga disa fraksione palestineze, tha se luftëtarët e saj kanë këmbyer zjarr me forcat izraelite.