Të përgjigjem o Zot, të përgjgjem

Ilmi Rexhepi

Lebbejk allahumme lebbejk!
Kur thua لبيك اللهم لبيك (lebbejk allahumme lebbejk) je duke u pozicionuar në arenën e një lufte mbarëhistorike me target njeriun.
Kjo thirrje kontekstohet në bisedën e Zotit me shejtanin, që tregohet me Kuran në suren el-Hixhr. Shejtani kishte pretenduar se do t’i devijonte thuajse krejt njerëzit, kurse Zoti ia kishte kthyer se shejtani nuk do të kishte pushtet ndaj robërve të Tij me përjashtim të atyre që e ndjekin e që janë të vetëhumbur.
Kur thua lebbejk je duke thënë edhe këtë: Zoti im, unë jam me Ty, Ty të dëgjoj e të përgjigjem.
Pjesa pa (ke) e sintagmës “lebbejke” është masdar e masdari i gjuhës arabe si kategori gramatikore në gjuhën shqipe u përgjigjet emrave prejfoljorë, si ardhje larje, dalje, hyrje…
Si trajtë morfologjike, emri nga sintagma “lebbejk” është i vënë në numrin dyjës të gjuhës arabe, por shenja gramatikore e dyjësit (ajo shkronja “j” nga lebbejk) nuk shenjon këtu numër, por përforcim, siguri dhe vazhdimësi. Ky emër në dyjës, ka funksionin sintaksor të kundrinorit të brendshëm (kundrinorit tautologjik që i thonë), i cili gjithashtu i jep përforcim e siguri kuptimit të fjalisë, si të thuash: me tërë qenien time, i bindur plotësisht dhe kurrë pa u ndalur, të përgjigjem, o Zot!
Thirrja “lebbejk allahumme lebbejk” është dhe motoja e shprehjes së njësisë së Allahut për miletin e Ibrahimit a.s..
Me shprehjen “Lebbejk…” i përgjigjesh vetëm atij që e do shumë, prandaj në këtë shprehje përfshihet dhe kuptimi i dashurisë: Të dua shumë, o Zot!
Shprehja “lebbejk” veç kuptimit afirmativ se: ja, t’u përgjigja o Zot! përfshin edhe kuptimin e premtimit, të zotimit: Ty do të të përgjigjem gjithmonë, o Zot!
Telbija ka dhe disa kuptime të tjera që janë më të përbëra.
Kuptohet që në një përkthim nuk mund të përfshihen krejt kuptimet e kësaj thirrjeje, porse përkthimi që e kemi në qarkullim “Të përgjigjem o Zot, të përgjgjem”, është shumë i ngathët, bile ta kishim vënë foljen në të kryerën e thjeshtë “t’u përgjigja, Zoti im, t’u përgjigja” për ta rrokur më të plotë njërin kuptim.

Nga: Prof. Ilmi Rexhepi