Tekbiri i papërcaktuar dhe i përcaktuar

Tekbiri gjatë festës së kurban bajramit është dy llojesh; Tekbir i papërcaktuar dhe tekbir i përcaktuar.

Tekbiri i papërcaktuar është ai tekbir që fillon qysh në ditën e parë të Dhul Hixhes dhe vazhdon deri në ditët e bajrameve. Muslimani bën tekbir në xhami, në  namazgja, në Mina, në rrugë, në shkollë, në punë, në treg e kudo që të jetë, dhe gjatë gjithë këtyre ditëve duhet të bëjë sa më shumë tekbire dhe nuk duhet ta kalojë kohën kot. Është për të ardhur keq dhe është një fatkeqësi e madhe që një pjesë e konsiderueshme e muslimanëve në ditët e sotme, e harxhojnë kohën e tyre gjatë këtyre ditëve duke u marrë me rrjetet sociale, me debate shterpë në vend që ta shfrytëzojnë kohën me tekbire.

Kurse përsa i përket tekbirit të përcaktuar ai bëhet menjëherë pas faljes së farzit, sidomos në ato namaze që falen bashkarisht me xhemat, ashtu sikurse kanë thënë juristët. Tekbiri i përcaktuar fillon pas faljes së Sabahut në Ditën e Arafatit dhe zgjat 23 namaze, ose e thënë ndryshe deri në namazin e iqindisë së ditës së tretë pas ditës së bajramit.

Ndër ritualet më të dalluara gjatë këtyre ditëve është tekbiri (i papërcaktuar dhe i përcaktuar). Profeti (a.s) ka thënë: “Zbukurojini festat tuaja (dy bajramet) me tekbir”[1]  Kështu që muslimani përgjatë gjithë ditëve të Dhul Hixhes duhet ta madhërojë sa më shumë Allahun e Madhëruar me tekbire kudo që të jetë.

Forma e tekbirit që na është transmetuar është: “Allahu Ekber, Allahu Ekber, La ilahe il lall llah, Uallahu Ekber, Allahu Ekber, Ue lil lahil hamd.”