Thaçi: Komisioni i ri kot, saktësinë e Demarkacionit s’mund ta kontestojë askush

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se mund të bëhen edhe shumë komisione shtetërore për të rishikuar çështjen e Demarkacionit, por asnjë prej tyre nuk do të mund ta kontestojë rezultatin e komisionit të parë, pasi, sipas presidentit, vija kufitare është e saktë.

“Vlerësoj përkushtimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për të gjetur një zgjidhje dhe dalje nga kjo situatë e Demarkacionit në të cilën jemi tani. Megjithatë, mund të ketë komisione të ndryshme, por saktësinë e Demarkacionit s’mund ta kontestojë askush”, pohoi Thaçi, njofton Klan Kosova.

“Unë jam nënshkrues i marrëveshjes së Demarkacionit. I kam besuar komisionit shtetëror për Demarkacionin dhe edhe sot i besoj”.

“Sa komisionet që të bëhen diçka e re del, ose ndonjë vi, ose ndonjë letër e re, por kjo nuk është çështje e garës së profesorëve të një katedre, ashtu siç po ndodh tash. Ndërsa për ata që kanë gabuar do të ketë përgjegjësi shtetërore”, tha ai.