Themeluesi i Bosnjës moderne

Salajdin Salihu

Për të ndërmarrë një mision publik e politik nuk mjafton vetëm dija në një sferë të caktuar. Duhet edhe vendosmëria dhe aftësia drejtuese. Alija Izetbegoviqi ishte njeri i mendimit dhe i veprimit politik. Kur bota mbyllte sytë dhe veshët, ai fliste për të vërtetën e trishtë, që ishte si pasqyra shekspiriane, ku shumëkush nuk dëshironte ta shihte të zitë e zemrës së tij.

Salajdin SALIHU, Tetovë

Sarajeva tolerante dhe tragjike

Sarajeva ishte njëra nga kryeqendrat e ish-Jugosllavisë. Ajo shquhej për larminë etnike e fetare, si dhe për tolerancën e mikpritjen. Boshnjakët e vlerësonin tolerancën ndëretnike, ndërfetare dhe ndërnjerëzore. Madje, nuk besonin se lufta kishte filluar, edhe kur ajo ndodhte vërtet. “Ndoshta dikush e dinte se do të kishte luftë, por unë jo”, tha poeti Marko Veshoviq, njëri nga zërat më të shquar kundër histerisë ultranacionaliste.

Disa vite më parë, më 1984, Sarajeva organizoi Lojërat Olimpike Dimërore. Ajo kishte jetë universitare e kulturore të gjallë dhe të organizuar. Kishte një elitë të vyer intelektuale. Shumë shkencëtarë, artistë e sportistë, që lindën ose jetuan aty, fituan famë në rang europian e botëror.

Sakaq gjithçka u rrëzua si kullë prej letre. Ata që besuan në përjetësinë e shtetit jugosllav, u desh të përballeshin me egërsinë e atij shteti, ku, siç shkroi poeti Izet Sarajliqi, edhe Voisllav Shesheli mundi të doktoronte…

Lufta që shpërtheu në veri të ish-Jugosllavisë, filloi të shtrihej drejt jugut të saj. Në Bosnjë ajo ishte e tmerrshme.

Tmerrin që ndodhte në Sarajevën e rrethuar e kanë përshkruar shumë poetë, duke përfshirë Czeslaw Milosz-in dhe Joseph Brodsky-n, kurse poeti Ali Podrimja shkruante për “engjëllin e zi të Sarajevës”.

Poetët mund ta përjetësojnë dhimbjen dhe tragjedinë e një kombi, mund ta kritikojnë poetikisht indiferencën e botës ndaj një kombi që i ekspozohet tmerrit, por një komb mund ta shpëtojnë udhëheqësit e guximshëm dhe të ditur. Se kur për një komb troket ora e kobit, atëherë njerëzit më të ditur shihen si prijës shpëtimtarë, ashtu si Eneu te vepra e Virgjilit.

Prijësi në kohë lufte

Alija Izetbegoviqi (1925-2003) ishte njëri prej tyre. Si mendimtar, ai nuk kishte besuar në “parajsën artificiale” të quajtur RSFJ. Si prijës politik, ai veproi në kohën e përmbysjeve të mëdha historike dhe shoqërore.

Për të ndërmarrë një mision publik e politik nuk mjafton vetëm dija në një sferë të caktuar. Duhet edhe vendosmëria dhe aftësia drejtuese. Alija Izetbegoviqi ishte njeri i mendimit dhe i veprimit politik. Kur bota mbyllte sytë dhe veshët, ai fliste për të vërtetën e trishtë, që ishte si pasqyra shekspiriane, ku shumëkush nuk dëshironte ta shihte të zitë e zemrës së tij.

Ndryshe nga politikanët pa dinjitet, që e lodhin skenën politike, ndryshe nga politikanët që ekzaltohen nga fitoret imagjinare dhe kanë merakun si do të duken në publik, ndryshe nga politikanët që veprojnë sipas tekave të padronëve dhe sillen si arqipeshkvi te Mefistofeli i Gëtes, që i thotë perandorit “Ne jemi vetëm trupi që vullneti yt drejton”, Izetbegoviqi, që besonte se humbja e identitetit të një kombi paguhet me robëri e përçmim, veproi me guxim e vendosmëri kur kombi i tij rrezikohej të zhdukej. Nuk veproi për lavdi dhe karrierë politike personale, por që ta shpëtonte kombin e rrezikuar. Sipas tij, patriot i vërtetë nuk ishte ai që mbiçmon veten kundrejt të tjerëve, por ai që kujdesej për dinjitetin e atdheut të tij.

Ne mund të humbim shumëçka dhe sërish mos jemi humbës, por kur humbin dinjitetin, atëherë kemi humbur gjithçka. Kur politikani humb dinjitetin për shkak të karrierës politike personale, atëherë bëhet e keqja e kombit. Izetbegoviqi ishte ndryshe. Ai ishte politikani me dinjitet…

Prijësi racional dhe i dinjitetshëm

Nëse luftërat në ish-Jugosllavi, për brezin tim janë kujtesë dhe traumë, për brezin e ri janë histori. Shumica e të rinjve, që kanë lexuar libra të Alija Izetbegoviqit, e njohin vetëm si mendimtar, por, mbase, pak e njohin si prijës politik, për sa kohë nuk është shkruar historia për atë që ndodhi në vitet ’90-të të shekullit të kaluar.

Izetbegoviqi nuk ishte një politikan aksidental, që shpesh çasti historik e ngjit në skenë dhe e vesh me pushtet. Ai veproi politikisht duke u bazuar në platformë ideologjike dhe politike, që gërshetonte elemente kombëtare dhe fetare, në përshtatje me realitetin boshnjak. Për shkak të bindjeve politike, qe burgosur dy herë. Në të ashtuquajturin “Procesi i Sarajevës” u dënua me 14 vjet burg.

Në prag të shpërthimit të luftës së paralajmëruar në Bosnjë, tek ai vendin e ideologut e zuri prijësi politik, që kishte si mision ta udhëhiqte kombin e kërcënuar me zhdukje, një kërcënim që e bëri publikisht Radovan Karaxhiqi, prijës i serbëve të Bosnjës.

Izetbegoviqi e themeloi Partinë e Aksionit Demokratik më 1990 dhe u bë kryetari i saj. Pas fitores në zgjedhjet e para shumëpartiake, u zgjodh kryetar i kryesisë së Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Këtë funksion e kreu edhe pas përfundimit të luftës, kurse më 2000 dha dorëheqje për arsye shëndetësore.

Ai u dallua si politikan racional dhe i guximshëm në veprime politike, misioni i të cilit ishte që ta siguronte mbijetesën e kombit të tij.

“Vendi dhe populli ynë ishin të dënuar me shkatërrim. Vetë mbijetesa jonë është fitorja jonë”, tha ai.

Bosnja si ide dhe besim

Alija Izetbegoviqi, autor i shumë studimeve dhe librave si çdo politikan që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë më të re të Ballkanit, është vlerësuar dhe kritikuar.

Ai është vlerësuar si figura qendrore e historisë më të re të Bosnjës; si “krijuesi i Bosnjës moderne”; si intelektual i shquar dhe politikan racional, vizionar dhe me etikë. Lord David Owen-i tha se “Izetbegoviqi do të zinte vendin kryesor kur të shkruhej historia e vendit të tij”. Sipas Richard Holbrooke-ut, “pa Alija Izetbegoviqin s’do të ishte Bosnja dhe Hercegovina”. George Robertsoni, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, e quajti “zëri i Bosnjës dhe Hercegovinës, që luftoi për mbijetesën e saj”.

Disa analistë e quajtën konservator dhe e kritikuan veçanërisht për lidhjen e fuqishme shpirtërore me religjionin. Pati edhe politikanë boshnjakë të kësaj periudhe që i kritikuan veprimet e tij politike.

Pavarësisht nga opinionet, Alija Izetbegoviqi i dha Bosnjës liri dhe kurorë. Ai është themeluesi i Bosnjës moderne.

Në vizionin e tij, Bosnja nuk ishte vetëm një copë toke në Ballkan, por edhe ide dhe besim se njerëzit e religjioneve, të kombeve dhe të traditave kulturore të ndryshme, mund të jetonin së bashku. Tolerancën e përkufizoi si dashuri për veten dhe si respekt për të tjerët. Ndërkaq, ultranacionalizmin e quajti të pafe, sepse përjashton të vërtetën që na mësojnë fetë: atë që nuk e dëshiron për veten tënde, mos ua bëj të tjerëve. /revistashenja