Ballina Artikuj Thirrje për kthim tek Allahu në prag të Ramazanit

Thirrje për kthim tek Allahu në prag të Ramazanit

Hoxhë Rufat Sherifi

Në prag të Ramazanit, kur dyert e mëshirës fillojnë të hapen dhe zemrat bëhen më të ndjeshme ndaj së vërtetës, le ta dëgjojmë këtë thirrje të butë para se të vijë një thirrje e fortë:
O Allah, na kthe tek Ti me një kthim të bukur.
Na kthe para se të na thyejë jeta, para se të na lodhin humbjet,
para se të na zgjojnë dhimbjet.
Na kthe me dritë, jo me goditje, me vetëdije, jo me detyrim.
Ramazani nuk vjen për të na frikësuar, por për të na ftuar.
Nuk vjen për të na thyer, por për të na shëruar.
Është muaji ku Allahu na thërret me mëshirë:
Ejani tek Unë, para se të mbyllen rrugët…
Kthimi i bukur në Ramazan është: të hysh në të me zemër të zgjuar, jo të plagosur, me mall për Allahun, jo vetëm me frikë nga dënimi, me vendim për t’u afruar dhe përmirsuar, jo thjesht për t’u pastruar nga faji.
Është që agjërimi të mos jetë vetëm uri e etje, por kthesë e sinqertë e zemrës.
Që Kurani të mos jetë vetëm lexim, por bisedë me Zotin.
Që lutja të mos jetë vetëm zakon, por takim.
Në këtë prag të bekuar, le të kthehemi tek Allahu, jo sepse u mbyllën dyert e botës, por sepse u hap dera e Tij.
Jo sepse u rrëzuam, por sepse kuptuam.
Sepse disa zemra zgjohen nga tronditja, por zemrat më të pastra zgjohen nga ftesa.
Dhe Ramazani është ftesë, jo ndëshkim.
Ejani, para se të na kthejë dhimbja.
Ejani, sa ende mund të vijmë me dashuri.
Ejani tek Allahu tani.
O Allah, na bëj prej atyre që Ramazanin e presin me zemër të kthyer, e jo prej atyre që kthehen vetëm kur nuk kanë më rrugë tjetër.
Na kthe tek Ti me një kthim të bukur, me mall, me vetëdije dhe me dashuri.

Hoxhë Rufat Sherifi