TikTok mund të ndalohet për të gjithë punonjësit e shtetit në Itali

Edhe qeveria italiane hap “dosjen TikTok”. Njoftimi vjen pak orë pas atij të Komisionit Evropian, i cili u kërkoi të gjithë punonjësve që të çinstalojnë aplikacionin sa më shpejt të jetë e mundur nga çdo pajisje e punës, por edhe personale.

Ministri italian i Administratës Publike, Paolo Zangrillo, shpjegoi për La Repubblica se ndër opsionet që po shqyrton ekzekutivi është edhe bllokimi i aplikacionit kinez në të gjitha pajisjet e punonjësve të shtetit.

“Është një zgjedhje që nuk mund ta bëj i vetëm, duhet të merrem vesh edhe me institucionet e tjera dhe së bashku do të biem dakord për të mbajtur një linjë”, tha Zangrillo.
Qeveria Meloni synon të mbajë një samit ad hoc pas fundjavës në lidhje me këtë çështje. Zangrillo shpjegoi se qëllimi është që të gjithë të kuptojnë rrezikun kombëtar që vjen nga përdorimi i TikTok.

Jo pak herë qeveria kineze është përfshirë në skandale të marrjes së të dhënave të qytetarëve të ndryshëm pikërisht nga ky aplikacion në pronësi kineze. /tiranapost