Tillerson: “Kina dhe Rusia të shtojnë presionin ndaj Koresë së Veriut”

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson duket se ka ndryshuar qasjen ndaj Koresë së Veriut. Sipas tij, Peniani duhet të meritojë rifillimin e negociatave me Shtetet e Bashkuara, fillimisht duke ndërprerë testimin e armëve bërthamore. Nga një mbledhje e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Tillerson gjithashtu nxiti Kinën dhe Rusinë të shtojnë presionin ndaj Koresë së Veriut, duke vepruar edhe përtej rezolutave të OKB, kërkesë e cila u hodh poshtë nga dy vendet.

Kjo retorikë e sekretarit të shtetit shënon një ndryshim të befasishëm nga komentet e bëra më herët gjatë kësaj jave, kur Tillerson u shpreh se Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme për bisedime me Korenë e Veriut në çfarëdo momenti. Kujtojmë se kjo deklaratë u prit me kontradikta nga Shtëpia e Bardhë. Sekretarja për shtyp, Sarah Sanders konfirmoi për gazetarët se qasja e presidentit Donald Trump lidhur me çështjen nuk kishte ndryshuar.

Koreja e Veriut ka kryer një seri testimesh bërthamore gjatë këtij viti, pavarësisht sanksioneve të ashpra dhe dënimit global. Presidenti Donald Trump ka premtuar t’i përgjigjet nuklearizimit në rritje të Koresë së Veriut edhe përmes forcës ushtarake./Ora News.tv/