Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Tjetër gjykatë nën flakë proteste

Tjetër gjykatë nën flakë proteste

Sulmet, tregues i një krisjeje të thellë besimi mes qytetarëve dhe sistemit të ri të drejtësisë

Vala e tensioneve ndaj institucioneve të sistemit të drejtësisë në vend ka shënuar një tjetër episod të rëndë ditën e sotme.

Protestuesit kanë sulmuar godinën e Gjykatës së Apelit të Tiranës, duke shkaktuar trazira dhe incidente të drejtpërdrejta në hyrje të saj.

Pavarësisht se jashtë godinës seksionale ishin vendosur mburoja metalike mbrojtëse për të parandaluar kalimin e turmës, protestuesit kanë arritur t’i heqin ato me forcë dhe kanë thyer derën kryesore të institucionit. Pasi kanë depërtuar brenda ambienteve, ata kanë ndezur një zjarr.

Fatmirësisht, flakët u shuan me shpejtësi, ndërsa forcat e policisë ndërhynë menjëherë duke larguar protestuesit dhe duke nisur shoqërimet e personave të përfshirë. Nga përplasjet me turmën, raportohet se ka mbetur i lënduar edhe një efektiv policie.

Ky incident vjen vetëm dy ditë pasi një tjetër godinë kyçe e sistemit gjyqësor, Gjykata e Lartë, u bë objekt i një sulmi të ngjashëm. Përsëritja e këtyre akteve ndaj gjykatave brenda një afati aq të shkurtër kohor tregon për një shkallëzim të lartë të revoltës dhe një situatë të tensionuar rreth institucioneve të drejtësisë.

Pamjet e dyerve të thyerja dhe zjarreve në dy gjykatat më të rëndësishme në vend, përtej natyrës së tyre të dhunshme, mbartin një simbolikë tejet shqetësuese që nuk mund të injorohet.

Ato janë tregues i një krisjeje të thellë besimi mes qytetarëve dhe sistemit të ri të drejtësisë. Reforma në drejtësi lindi si një shpresë e madhe për të gjithë shqiptarët e etur për barazi para ligjit, por sot po përjetohet si një tjetër zhgënjim i madh.

Me arrestimet dhe hetimet e saj selektive – ku veprohet me dy standarde sipas interesave politike apo pushtetit -“drejtësia e re” në sytë e opinionit publik po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një simbol të vetë padrejtësisë.

Përdorimi i ligjit me peshore të ndryshme ka zbehur legjitimitetin e këtyre institucioneve. Ndaj, këto sulme mbi godinat e gjykatave duhet të interpretohen përtej aktit fizik.

Ato janë pasqyrim i shpërthimit të një fryme revoltë ndaj një sistemi që premtoi pavarësi, por që qytetarëve po u shfaqet si i ananshëm dhe mbrojtës i të paprekshmëve. \tesheshi