Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shteti zbulon “arsenalin” e llastiqeve, ndërsa protestat i dalin jashtë kontrollit…

Shteti zbulon “arsenalin” e llastiqeve, ndërsa protestat i dalin jashtë kontrollit…

Nga “thikat me helm” tek llastiqet si mjete pucistesh

Në Shqipërinë e këtyre ditëve, ku mijëra të rinj po protestojnë dhe përplasjet me policinë kanë përshkallëzuar tensionet, një tjetër rrezik kombëtar paska dalë në dritë: llastiqet.

Policia njofton zbulimin e një magazine me mbi 450 pajisje dhe artikuj të kontrabanduar, nga dronët e dedektorët deri te pajisjet zbuluese e regjistruese.

Mes tyre, 75 llastiqe gjuetie dhe një sasi e konsiderueshme sferash metalike. Operacioni, i pagëzuar me emrin domethënës “Infrastruktura”, përfundoi me arrestimin e 23-vjeçarit O. M., banues në Tiranë.

Sipas policisë, ai u kap në rrugën “Tre Dëshmorët”, duke u shitur pjesëmarrësve në protesta 30 llastiqe dhe sfera metalike, të cilat u sekuestruan si prova materiale.

Me sa duket, në një vend ku institucionet përballen me protesta të vazhdueshme, llastiqet meritojnë një operacion më vete, një emër të koduar dhe një njoftim zyrtar.

Mbetet të shohim nëse do të zbulohet edhe ndonjë rrjet ndërkombëtar i furnizimit me llastiqe, apo nëse sferat metalike do të shpallen kërcënimi i radhës për sigurinë kombëtare.

Ndërkohë, pyetjet që i kanë nxjerrë të rinjtë në rrugë vazhdojnë të presin përgjigje. Për to nuk mjaftojnë as prangat, as konferencat e policisë dhe as operacionet me emra pompozë.

Por, të paktën, shteti mund të mburret se ka vënë nën kontroll një pjesë të tregut të llastiqeve. /tesheshi.com/