Çfarë fshihet pas skenave të dhunës në protestat tona
Protestat dhe revolta e muajve të fundit nga qytetarët shqiptarë ndaj keqqeverisjes së gjatë të Edi Ramës janë jo vetëm plotësisht të justifikuara, por edhe një reagim më se legjitim demokratik.
Megjithatë, për qytetarin e zakonshëm, pamjet e djegieve, shkatërrimit të objekteve dhe dëmtimit të pronës publike apo private mbeten me të drejtë të trishta dhe të papranueshme.
Kjo bën të domosdoshme vendosjen e një vijë ndarëse të qartë mes shumicës dërrmuese të protestuesve paqësorë qe kërkojnë llogaridhënie dhe një pakice që i kthehet dhunës.
Ky fenomen i përshkallëzimit të manifestimeve nuk është unik vetëm për Tiranën, por përbën një sfidë globale të analizuar gjerësisht edhe nga mediat ndërkombëtare.
Në një artikull të fundit të medias prestigjioze Al Jazeera, me titull “‘Nobody can stop them’: Who are Europe’s Black Bloc protesters?”, i jepet një vështrim i hollësishëm fenomenit të njohur si Black Bloc.
Nga Franca, Italia e Spanja e deri te zhvillimet në Shqipëri, prania e disa qindra të rinjve të veshur tërësisht me të zeza është kthyer në një dukuri të rregullt të lëvizjeve protestuese në Evropë.
Këta persona përfshihen shpesh në përplasje fizike me forcat e rendit, thyejnë pronën publike e private, u vendosin flakën automjeteve e ndërtesave, si dhe akuzohen për grabitje masive.
Me energjinë e tyre agresive, ata arrijnë të shkatërrojnë edhe tubimet më paqësore të organizuara nga studentët apo sindikatat.
Ndërsa disa pretendojnë se këto taktika tërheqin vëmendjen ndaj pabarazive sociale e ekonomike, pjesa më e madhe e dënon dhunën duke theksuar se ajo zbeh plotësisht kërkesat legjitime të qytetarëve.
Sipas profesorit të shkencave politike Francis Dupuis-Déri nga Universiteti i Kebekut në Montreal, i cili ka shkruar një libër për këtë lëvizje, origjina e Black Bloc daton në vitet 1980 në Gjermani, lindur nga lëvizja sociale e quajtur autonomia.
Ideologjia e tyre ishte me bazë anarkiste, kundër shtetit, kapitalizmit, partive politike e madje kundër sindikatave.
Strategjia e tyre vizuale ishte e thjeshtë: veshje të zeza, xhaketa lëkure, kapuçë, helmeta motori, syze dielli e shamia për të pamundësuar identifikimin nga policia. Ky koncept funksionon pa udhëheqësi, pa hierarki, pa zëdhënës apo deklarata për shtyp.
Dokumentet operative të policive evropiane, si ato në Itali apo deklaratat e Ministrisë së Brendshme në Francë, e përshkruajnë Black Bloc jo si një lëvizje me anëtarësi fikse, por si një taktikë anarko-rebeluese.
Anëtarët e saj kryejnë vëzhgime të terrenit përpara tubimeve, ndajnë zonat në sektore dhe përdorin manovra diversioni për të tërhequr vëmendjen e policisë ndaj një grupi, ndërsa grupet e tjera kryejnë veprat shkatërruese.
Shërbimet e inteligjencës, evropiane vlerësojnë se numri i tyre luhatet mes 5.000 dhe 7.000 vetave në të gjithë kontinentin, me aftësi të lartë lëvizshmërie ndërkufitare nga një protestë në tjetrën.
Tashmë që kjo dukuri është rikthyer në vëmendjen e analizave politike ndërkombëtare, mbetet tejet e rëndësishme të ngrihet pyetja thelbësore: A ekziston vërtet kjo dukuri e mirëfilltë e Black Bloc edhe në Shqipëri, apo skenat e dhunës në rrugët e Tiranës janë thjesht reagime spontane të zjarrit rinor dhe provokime të orkestruara nga vetë politika?
Sido që të jetë e vërteta mbi praninë ose jo të kësaj rryme anarkiste në vendin tonë, kjo nuk mund të shërbejë në asnjë mënyrë si alibi për të mbuluar realitetin shqiptar.
Edhe nëse dukuri ekziston, ajo as nuk e zbeh dhe as nuk e delegjitimon zemërimin e thellë popullor ndaj një pushteti të zhytur në skandale të njëpasnjëshme korruptive dhe aleanca të dyshimta.
Tabloja e konsumimit të qeverisjes mbetet po e njëjta, dhe e drejta e qytetarëve për të kërkuar llogari është më se e padiskutueshme. \tesheshi








