Thirrja e presidentit turk për një marrëveshje paqe që nuk po zbatohet
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kritikoi të premten dështimin e bashkësisë ndërkombëtare për t’iu përgjigjur veprimeve izraelite në territoret palestineze, duke paralajmëruar se sistemi ndërkombëtar po dështon në ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
Duke folur në ceremoninë zyrtare të hapjes së Forumit TRT World 2026 në Qendrën e Kongreseve të Stambollit, Erdogan tha: “Terrori i pushtuesve, i cili kërkon të zhvendosë me forcë palestinezët nga atdheu i tyre, po bëhet çdo ditë e më i pamëshirshëm nën vështrimin indiferent të botës moderne.”
Institucionet ndërkombëtare të ngarkuara me sigurimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit po “vëzhgojnë nga anët” ndërsa krimet zhvillohen në Gaza, ashtu siç ndodhën në Ruandë, Srebrenicë dhe shumë vende të tjera, theksoi presidenti turk.
“Për fat të keq, Marrëveshja e Paqes në Gaza, të cilën ne ndihmuam ta ndërmjetësonim, nuk po zbatohet,” vuri në dukje Erdogan.
Duke theksuar se parimi i pacta sunt servanda (marrëveshjet duhet të respektohen), i cili formon bazën e marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk po respektohet, Erdogan tha: “Të gjithë duhet ta kuptojnë se asnjë problem nuk mund të zgjidhet në këtë mënyrë.”
Presidenti turk paralajmëroi se zhvillimet globale dhe rajonale tregojnë se sistemi ka ngritur “flamurin e bardhë të dorëzimit”.





