Aspak habi që dy regjime të kontestuara dhe amorale i thurrin lavde njëri-tjetrit
Nëse keni menduar se e keni parë të gjithë cirkun e politikës, bëhuni gati për kryeveprën: Tel Avivi sapo na e hoqi perden nga sytë dhe na zbuloi se mes nesh po ecën një “Shenjt”!
Ndërsa ne të paditurit përpëlitemi nëpër mllefin e përditshëm, Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, zbarkoi në Tiranë vetëm për të na njoftuar se Edi Rama na qenka një “lider botëror i jashtëzakonshëm” dhe një “busull morale e palëkundur”.
Deklaratat u bënë gjatë konferencës për shtyp, ku Sa’ar vlerësoi qëndrimin e Tiranës zyrtare pas sulmit të 7 tetorit, duke e kurorëzuar kreun e qeverisë shqiptare me kurorën e udhëheqësit vizionar.
Vizita u vulos me premtime për marrëveshje të reja dypalëshe, por prapa diplomacisë plot lustra e furça mbeti vetëm duhma e rëndë e një shfaqjeje groteske.
A nuk është fantastike? Si ka mundësi që shumica e shqiptarëve – përfshirë edhe shumë socialistëve që në çdo sondazh e kontestojnë egërsisht – janë aq “të verbër” sa nuk e shohin këtë shenjtëri?
Si ka mundësi që ne, populli që prej 13 vitesh po e provojmë mbi kurriz këtë model zhvillimi që na shkatërroi ekonominë dhe na e ktheu atdheun në një tokë të huaj ku të gjithë ndihen si emigrantë, kemi guximin të ankohemi, kur nga jashtë na vijnë medalje hyjnore “moraliteti”?
Por kulmi i kësaj shfaqjeje është “komisioni i vlerësimit”. Titullin e busullës morale e shpërndan me bujari pikërisht përfaqësuesi i një regjimi që sot mban me meritë flamurin e përbuzjes, akuzave më të rënda dhe izolimit më të thellë moral në të gjithë rruzullin.
Çfarë simbioze magjepsëse! Një pushtet i shpallur non-grata nga ndërgjegjja e botës, zbarkon në Tiranë për t’i dhuruar leksione morali një lideri që e ka zbrazur vendin nga rinia.
Kur dy regjime të mbytura në kritika i varin në qafë medalje njëri-tjetrit, “morali” nuk është më busull, por thjesht një letër higjienike me të cilën fshihen dështimet diplomatike.
Ndoshta është faji ynë që presim shtet të së drejtës, arsim e mirëqenie, kur në fakt misioni ynë na qenka vetëm të admirojmë “madhështinë e Liderit”.
Por kur i vetmi duartrokitës dhe plot vlerësime superlative që të ka mbetur është një regjimi i kontestuar nga e gjithë bota, kjo nuk është më diplomaci por certifikatë e vdekjes politike.
Nëse kjo është “busulla morale” që po na drejton, nuk ka më asnjë dyshim se përse Shqipëria ka 13 vjet që lundron drejt greminës. \tesheshi




