Tmerr në Tiranë: “Kam vrarë gjyshin e gjyshen, njofto Policinë”

Një krim i rëndë në familje ndodhi mesditën e djeshme në zonën e “Freskut” në Tiranë, ku nipi 19- vjeçar plagosi me thikë gjyshin e gjyshen.

Fatmirësisht dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Policia arrestoi autorin e dyshuar të ngjarjes, Beniamin Kaso. Të plagosurit janë Hajrie Agaj, 70 vjeçe, dhe Shaban Agaj, 80 vjeç, prindërit e nënës së autorit të ngjarjes.

Policia njoftoi se te moshuarit ndodhen nën kujdes spitalor dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Gyshja 70-vjeçare kishte tentuar të kërkojë ndihmë duke zbritur në këmbë dhe duke dalë në rrugë e gjakosur përballë pallatit ku banon.

Megjithatë, burimet thanë se fatmirësisht të moshuarve nuk u janë dëmtuar organet nga goditjet me thikë. Policia ende nuk e ka marrë dëshminë e çiftit të plagosur, deri në përmirësimin e gjendjes shëndetësore.

Autori i dyshuar i ngjarjes, 19-vjeçari Beniamin Kaso, ka pranuar krimin, duke thënë se gjithçka ka ndodhur pasi gjyshërit e shanin vazhdimisht dhe ai është ndjerë i fyer.