Tre policët e kidnapuar nga forcat serbe arrijnë në Kosovë

Arrijnë në Kosovë tre zyrtarët policorë, të cilët u liruan në procedurë të rregullt për mbrojtje në liri nga Gjykata e Kralevës.

Në pikën kufitare në Merdarë policët janë mirëpritur nga kolegët e tyre.

Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi, ishin arrestuar më 14 qershor, me pretendimin se kanë hyrë në territorin e Serbisë, e më pas kanë dalë para gjykatës më 16 qershor, ku ndaj tyre ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Ndërkohë ky rast, kishte rritur edhe më shumë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, ku liderët e shtetit të Kosovës dhe atyre ndërkombëtar kishin kërkuar lirim të menjëhershëm.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për kidnapimin e tre policëve kosovarë më 14 qershor, brenda territorit të Kosovës.

Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se edhe pse të gëzuar që policët do të kthehen tek familjet e tyre, rrëmbimi ishte shkelje e rëndë e të njeriut dhe duhet qortuar.

“Konfirmojmë se 3 policët e rrëmbyer janë liruar. Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Gjithashtu, ditë më parë Kurti kishte prezantuar edhe fakte se ku po qëndronin policët në momentin kur u kidnapuan nga policia serbe, duke i publikuar disa fotografi.

Edhe ndërkombëtarët kanë kërkuar lirimin pa kusht të tre policëve. Departamenti amerikan Shtetit ka ripërsëritur thirrjen ndaj Serbisë që t’i lirojë menjëherë tre zyrtarët policorë kosovarë që po mbahen në Serbi.