Tre shkencëtarë të vdekur nga zjarri në Qendrën Kërkimore të Hapësirës në Iran

Tre shkencëtarë kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri në Qendrën Kërkimore të Hapësirës në kryeqytetin e Iranit, Teheran, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Agjencisë së lajmeve të studentëve iranianë ISNA, mësohet se ministri i Komunikimeve dhe Teknologjive të Informacionit, Mohammad Javad Azari Jahromi, ka njoftuar se një zjarr ka shpërthyer për shkak të arsyeve ende të paidentifikuara në Institutin e Sistemeve të Transportit Hapësinor në qendër të Teheranit.

“Si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën tre kolegët tanë”, është shprehur Jahromii cili ka shpjeguar se zjarri ka shpërthyer gjatë momentit kur personeli me detyrë në ndërtesë kishin marrë pjesë në programin e festimeve për përvjetorin e revolucionit, dhe se për këtë arsye askush nuk e ka diktuar zjarrin.

Ndërkohë ministri iranian nuk ka dhënë informacione në lidhje me kohën e zjarrit dhe emrat e personave që kanë humbur jetën.

Ndaj punimeve të Qendrës së Kërkimit Hapësinor që vepron lidhur me Ministrinë e Komunikimeve dhe Teknologjive të Informacionit të Iranit ka patur reagime nga qeveria e Washingtonit. Qeveria amerikane e cila aktivitetet satelitore të Iranit i vlerëson si pjesë e programit raketor balistik, i kishte bërë thirrje Iranit që të ndalë të gjitha aktivitetet raketore balistike duke përfshirë edhe lëshimin e satelitëve.

Irani më 15 janar dërgoi në hapësirë satelitin prodhim vendas të emëruar “Peyam” (Mesazh) i cili dështoi gjatë fazës së vendosjes në orbitë. Ministri Jahromi në një deklaratë kishte njoftuar se janë përgatitur që të dërgojnë një tjetër satelit të ri vendas me qëllime civile.