Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Departamenti i Drejtësisë po heton përfaqësuesen demokrate Ilhan Omar, duke iu referuar raportimeve për një rritje të ndjeshme të pasurisë së saj neto gjatë vitit të fundit.
Trump e bëri deklaratën përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkroi se “Departamenti i Drejtësisë dhe Kongresi po shqyrtojnë ‘kongresmenen’ Ilhan Omar, e cila u largua nga Somalia pa asgjë dhe tani raportohet se vlen më shumë se 44 milionë dollarë. Koha do ta tregojë gjithçka”.
Këto komente janë sulmi i fundit i Trump ndaj Omarit dhe pasojnë një sërë deklaratash në të cilat ai ka akuzuar rivalë politikë për shkelje ligjore gjatë ushtrimit të funksioneve publike.
Trump ka thënë më herët se Omar duhet të burgoset ose të deportohet në Somali, vendi ku ka lindur, pavarësisht faktit se ajo është shtetase amerikane që nga viti 2000. Ai e ka akuzuar gjithashtu për lidhje me raste të dyshuara mashtrimi me ndihma shtetërore në Minesota, pa paraqitur prova publike që ta lidhin atë me raste të tilla.
Tensionet mes Trumpit dhe Omarit janë rritur në kohën kur në Minneapolis, qytetin që ajo përfaqëson në Kongres, po vazhdojnë operacionet e zbatimit të ligjit për emigracionin.
Ilhan Omar ka reaguar publikisht, duke i hedhur poshtë pretendimet e presidentit. Në një postim në platformën X, ajo tha se Trump po “devijon vëmendjen”.
“Më vjen keq, Trump, mbështetja jote po shembet dhe ti po panikosesh,” shkroi ajo. “Vite ‘hetimesh’ nuk kanë gjetur asgjë. Largo njerëzit e tu nga Minesota.”
Një zëdhënës i zyrës së Omarit ka deklaruar se ajo nuk ka marrë asnjë njoftim nga Departamenti i Drejtësisë për ndonjë hetim.
Sipas deklarimeve financiare të dorëzuara vitin e kaluar, rritja e pasurisë lidhet kryesisht me asetet e bashkëshortit të saj, përfshirë pjesëmarrje në një kompani kapitali sipërmarrës dhe një punishte vere, dhe jo me pagën e saj si kongresmene.
Trump ka njoftuar gjithashtu se do të dërgojë në Minneapolis të ashtuquajturin “czar të kufirit”, Tom Homan, pas protestave të zhvilluara pas disa të shtënave vdekjeprurëse që përfshinë zyrtarë të zbatimit të ligjit për emigracionin. /mesazhi






