Trump: Izraeli dhe Maroku u dakorduan për “marrëdhënie të plota diplomatike”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Maroku dhe Izraeli kanë arritur marrëveshje për të vendosur marrëdhënie të plota diplomatike dhe se ka nënshkruar një proklamatë për njohjen e sovranitetit maroken mbi Saharanë Perëndimore, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sot nënshkrova një proklamatë që njeh sovranitetin maroken mbi Saharanë Perëndimore. Propozimi serioz, i besueshëm dhe realist i autonomisë së Marokut është zgjidhja e vetme dhe e qëndrueshme për paqe dhe prosperitet të qëndrueshëm”, tha Trump në llogarinë e tij në Twitter.

Duke kujtuar se Maroku njohu Shtetet e Bashkuara në vitin 1777, Trump vuri në dukje se për këtë arsye, ata njohën sovranitetin e Marokut mbi Saharanë Perëndimore.

Ndërkaq, ai e quajti “një tjetër hap historik” normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Marokut.

“Dy miqtë tanë të mëdhenj, Izraeli dhe Mbretëria e Marokut, kanë arritur marrëveshje për marrëdhënie të plota diplomatike. Ky është një përparim i madh për paqen në Lindjen e Mesme”, shkroi presidenti amerikan.

Maroku u bë shteti i katërt që normalizoi raportet me Tel Avivin, pasi Sudani deklaroi normalizimin zyrtar të marrëdhënieve me Izraelin dhe ndaljen e çdo agresioni me shtetin izraelit në tetor.

Më herët, në shtator, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ranë dakord për të vendosur marrëdhënie të plota diplomatike, kulturore dhe tregtare me Izraelin pas nënshkrimit të marrëveshjeve kontroverse në Shtëpinë e Bardhë.

Marrëveshjet kanë shkaktuar reagime të mëdha nga palestinezët, të cilët thonë se këto marrëveshjet injorojnë të drejtat e tyre dhe nuk i shërbejnë çështjes palestineze.