Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Japonia po ecën përpara me këstin e parë të investimeve në kuadër të zotimit prej 550 miliardë dollarësh, pjesë e marrëveshjes tregtare të shpallur korrikun e vitit të kaluar, duke theksuar tre projekte “të jashtëzakonshme” në fushën e naftës, gazit dhe mineraleve kritike në SHBA, transmeton Anadolu.
“Marrëveshja jonë gjigante tregtare me Japoninë sapo ka nisur”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Ai theksoi se zotimi i Tokios për investime është pjesë e “marrëveshjes sonë historike tregtare për të rigjallëruar bazën industriale amerikane, për të krijuar qindra mijëra vende të shkëlqyera pune dhe për të forcuar sigurinë kombëtare dhe ekonomike”.
“Sot, kam kënaqësinë të njoftoj tre projekte të jashtëzakonshme në fushat strategjike të naftës dhe gazit në shtetin e madh të Teksasit, prodhimit të energjisë në Ohajo dhe mineraleve kritike në Xhorxhia”, tha ai.
Trump i përshkroi projektet si shumë të mëdha në përmasa dhe argumentoi se ato nuk do të ishin të mundura pa tarifat doganore, të cilat i cilësoi si instrument kyç.
Ai deklaroi se centrali me gaz në Ohajo do të jetë më i madhi i ndërtuar ndonjëherë, ndërsa një impiant i ri për gaz natyror të lëngshëm në Gjirin e Meksikës do të rrisë eksportet dhe do të forcojë dominimin energjetik të SHBA-së.
Sipas Trumpit, një objekt për përpunimin e mineraleve kritike do të ndihmojë në uljen e varësisë së vendit nga burimet e huaja, të cilën e quajti “të pamend”.
“Amerika po ndërton sërish. Amerika po prodhon sërish. Dhe Amerika po fiton sërish. Ky është një moment shumë emocionues dhe historik për SHBA-në dhe Japoninë”, shtoi ai.
Në korrik të vitit të kaluar, SHBA-ja dhe Japonia shpallën atë që Trump e përshkroi si një marrëveshje “gjigante” tregtare, duke deklaruar se Japonia do të investojë 550 miliardë dollarë në SHBA, ndërsa tarifat reciproke u ulën në 15 për qind, nga 25 për qind që ishin më parë.

