Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të mërkurën se fillimisht i kishte kërkuar emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, t’i huazonte SHBA-së një avion Boeing 747 për ta përdorur përkohësisht si Air Force One, por udhëheqësi i Katarit i kishte ofruar t’ia dhuronte avionin Washingtonit, transmeton Anadolu.
“Kur ju dhurohen gjëra, i pranoni, apo jo?”, tha Trump para pjesëmarrësve në një tubim në Arizona. “Kur ju dhurojnë një Boeing 747, thoni dy fjalë: ‘Faleminderit’”.
Trump tha se iu drejtua Sheikh Tamimit sepse avionët presidencialë që përdoren aktualisht nga SHBA-ja janë të vjetër. “Do të donim ta huazonim, sepse avionët tanë janë 35 vjeç. Prandaj telefonova kreun e Katarit, një njeri shumë i respektuar, njeri i shkëlqyer, i ri, në fakt edhe i pashëm… dhe me shumë para”, tha Trump.
“I thashë: ‘Tamim, nëse është e mundur, në emër të SHBA-së dhe Forcave Ajrore, do të dëshiroja ta huazoja ose ta përdorja për pak kohë avionin tënd Boeing 747 si Air Force One, derisa të presim avionët tanë’”, tha ai.
Sipas Trumpit, emiri refuzoi t’ia huazonte avionin dhe në vend të kësaj i ofroi t’ia dhuronte SHBA-së.
“Ai tha: ‘Jo, jo, jo, jo, jo, jo. Ti je miku im. Nuk do të të lejoj ta huazosh për ta përdorur. Do të të lejoj ta marrësh në emër të SHBA-së. Mund ta kesh’”, rrëfeu Trump.
Ai tha se e pranoi avionin në emër të SHBA-së.
Forcat Ajrore të SHBA-së e kanë klasifikuar avionin e Katarit si VC-25B. Ai synohet të përdoret si avion i përkohshëm derisa ushtria të presë dorëzimin e dy avionëve të rinj presidencialë Boeing, që pritet të mbërrijnë në vitin 2028.





