Presidenti i SHBA-së, Donald Trump mbërriti sot në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror mes tensioneve mbi përpjekjen e tij për të blerë Grenlandën, transmeton Anadolu.
Trump mbërriti pak vonë pasi aeroplani i tij “Air Force One” duhej të kthehej në Washington për shkak të problemeve teknike, sipas Bloomberg.
Presidenti zbriti në aeroportin e Cyrihut pasi aeroplani i tij fillestar u kthye në bazën e përbashkët “Andrews” jashtë Washingtonit të martën në mbrëmje. Ai më pas hipi në një aeroplan zëvendësues dhe u nis pak pas mesnatës.
Është planifikuar që Trumpi t’u drejtohet udhëheqësve të biznesit global dhe politikëbërësve në orën 14:30 sipas orës lokale, raportoi Bloomberg, duke cituar një zëdhënës të Forumit Ekonomik Botëror, i cili tha se koha e fjalimit mbeti e pandryshuar pavarësisht vonesës.
Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt tha se ekuipazhi zbuloi një “problem të vogël elektrik” pas ngritjes, duke bërë që “Air Force One” të kthehej “nga një kujdes i tepruar”.



