Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër të ri ekzekutiv për të përshkallëzuar në mënyrë dramatike tarifat ndaj eksporteve braziliane, por krijoi boshllëqe për një numër të vogël produktesh, transmeton Anadolu.
Shtëpia e Bardhë tha se Trump po i rrit tarifat në 50 për qind, me synimin “për t’u marrë me politikat, praktikat dhe veprimet e fundit nga qeveria braziliane që përbëjnë një kërcënim të pazakonshëm dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare, politikën e jashtme dhe ekonominë e SHBA-së”.
Ajo përmendi gjykimin e vazhdueshëm të ish-presidentit Jair Bolsonaro, një aleat politik i Trumpit, i cili po përballet me akuza për përpjekje për të orkestruar një grusht shteti në Brazil. Urdhri i Trumpit thotë se gjykimi i tij është i barabartë me persekutim politik, duke theksuar se Bolsonaro është “akuzuar padrejtësisht” për disa krime.
Për disa nene është dhënë përjashtim sipas urdhrit të Trumpit, duke përfshirë avionë civil dhe pjesë që me shumë gjasë do të jenë në dobi të kompanisë braziliane të hapësirës ajrore Embraer, pulpë druri, metale të çmuara, energji dhe produkte të energjisë, si dhe plehra. Lëngu i portokallit gjithashtu është i përjashtuar.
Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 6 gusht, pasi të mbyllet një dritare shtatë-ditore.
Trump u zotua të rrisë tarifat ndaj Brazilit në 50 për qind, nëse presidenti Lula de Silva nuk do të ndalojë gjykimin e vazhdueshëm ndaj ish-presidentit Bolsonaro.
Thesari dhe departamentet e shtetit njoftuan më parë sanksione kundër gjyqtarit të gjykatës supreme braziliane që mbikëqyrte gjykimin, Alexandre de Moraes.
Departamenti i Thesarit akuzoi de Moraen për përdorimin e pushteteve të tij për “të autorizuar paraburgime arbitrare para gjyqit dhe për të shtypur lirinë e shprehjes”.
“Alexandre de Moraes ka marrë përsipër të jetë gjyqtar dhe juri në një gjueti shtrigash të paligjshme kundër qytetarëve dhe kompanive amerikane dhe braziliane”, tha sekretari i Thesarit, Scott Bessent.

