Trump: Sauditët nuk më tradhtuan

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, në lidhje me qëndrimin e tij për Arabinë Saudite pas vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi tha se “Ata (sauditët) nuk më tradhtuan mua, por ndoshta e tradhtuan vetveten. Do të shohim se si do të rezultojë kjo punë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Trump në një deklaratë për media nga Shtëpia e Bardhë foli në lidhje me çështjet e Khashoggit ndërsa u pyet nëse është tradhtuar nga Arabia Saudite në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit.

“Nuk më tradhtuan mua, shpresojmë se të gjithë këto do të zgjidhen. Kemi shumë të vërteta përpara, po i shqyrtojmë këto. Ata (sauditët) nuk më tradhtuan mua, por ndoshta e tradhtuan vetveten. Do të shohim se si do të rezultojë kjo punë”, u përgjigj Trump.

Zëvendës zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Robert Palladino, në brifingun ditor foli në lidhje me gjendjen për vrasjen e Khashoggit pas deklaratave të fundit të kryeprokurorit të Prokurorisë Publike në Stamboll, Irfan Fidan.

“Ne si SHBA vazhdojmë të mbledhim informacione në lidhje me vrasjen. Po ashtu e theksojmë thirrjen për një hetim transparent për këtë çështje. Jemi në kontakt të rregullt edhe me qeverinë saudite”, tha ai.

Ai tha se i vazhdojnë bisedimet me zyrtarët turq dhe saudit, duke shtuar më tej se, “Në anën tjetër vazhdojmë edhe vetë të mbledhim informacione. Çfarë hapa do të ndërmarrim në drejtim të së ardhmes, varet nga informacionet që i kemi përfituar”.

Në një deklaratë nga Prokuroria Publike e Stambollit dje thuhej se, “Viktima Jamal Khashoggi në datën 2 tetor 2018 është vrarë sipas një plani të parapërgatitur. Ai është mbytur sapo ka hyrë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, ku kishte shkuar për procedura martesore. Kufoma e tij, përsëri në bazë të një plani të parapërgatitur është copëtuar dhe zhdukur pasi është mbytur”.