Trump: Vendimi për sulm ndaj Iranit brenda dy javësh

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se do të marrë një vendim përfundimtar mbi mundësinë e një sulmi ushtarak ndaj Iranit brenda dy javësh. Deklarata u bë publike të enjten nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

“Bazuar në faktin se ekziston një mundësi reale për negociata që mund ose jo të ndodhin me Iranin së shpejti, presidenti do të marrë vendimin e tij për të vepruar ose jo brenda dy javëve,” tha Leavitt duke lexuar deklaratën e Trump.

Ajo theksoi se qëndrimi i presidentit ka qenë gjithmonë i qartë: “Irani nuk duhet dhe nuk mund të pajiset me armë bërthamore.” Leavitt shtoi se Trump ka favorizuar gjithmonë një zgjidhje diplomatike, por mbetet i vendosur në këtë pikë.

Sipas saj, Irani “ka gjithçka që i nevojitet për të ndërtuar një armë bërthamore, mjafton vetëm një vendim nga lideri suprem dhe mund ta përfundojnë prodhimin për disa javë.” Ajo e quajti këtë një kërcënim ekzistencial jo vetëm për Izraelin, por edhe për SHBA-në dhe mbarë botën.

Ajo shtoi se “edhe vende si Rusia janë dakord se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore.” Nga ana tjetër, Irani mohon që po përpiqet të ndërtojë një armë bërthamore.

Zëdhënësja konfirmoi se ka pasur komunikim mes të dërguarit të posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi, duke thënë: “Mund të konfirmoj se korrespondenca mes SHBA-së dhe Iranit ka vazhduar.”

Bisedimet kishin nisur në prill, por ishin ndërprerë pasi Izraeli sulmoi objektet bërthamore dhe ushtarake iraniane më 13 qershor, duke vrarë edhe shkencëtarë dhe zyrtarë të lartë. Si kundërpërgjigje, Irani nisi një seri sulmesh raketore ndaj Izraelit.

Sipas autoriteteve izraelite, të paktën 25 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur nga sulmet iraniane. Nga ana tjetër, media iraniane raporton mbi 639 të vrarë dhe mbi 1,300 të plagosur nga sulmet izraelite.

Ndërkohë, ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe pritet të takohen këtë javë në Gjenevë me homologun iranian, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën mes Izraelit dhe Iranit. /mesazhi