Turqi, rreth 3.400 migrantë të parregullt u ndaluan javën e kaluar

Sipas të dhënave të përpiluara nga Anadolu Agency (AA) nga burime të sigurisë, së paku 3.391 migrantë të parregullt u ndaluan gjatë javës së kaluar në të gjithë Turqinë.

Në operacione të shumta të kryera nga forcat e xhandarmërisë në provincën veriperëndimore Edirne, në kufi me Greqinë dhe Bullgarinë u ndaluan 1.759 migrantë.

Sipas forcave lokale të sigurisë në Edirne, Greqia kohët e fundit ka rritur përpjekjet për të dërguar migrantë të parregullt në Turqi në shkelje të Konventave të Gjenevës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventës së OKB-së kundër Torturës.

Në provincat bregdetare Çanakkale, Balıkesir, Aydin, Izmir, Muğla dhe Antalya, Garda Bregdetare Turke dhe forcat e xhandarmërisë ndaluan gjithsej 1.353 migrantë derisa po përpiqeshin të kalonin në Evropë përmes Greqisë.

Turqia ka qenë pika kyçe tranzitore për migrantët e parregullt që synojnë të kalojnë në Evropë për të filluar jetë të re, veçanërisht ata që ikin nga lufta dhe persekutimi.

Në mënyrë të veçantë, në provincat veriperëndimore Kırklareli dhe Tekirdağ, 174 migrantë u mbajtën nga forcat e xhandarmërisë.

Për më tepër, forcat kufitare dhe policia në provincën jugore Hatay ndaluan 91 migrantë në përpjekjen për të hyrë në Turqi me mjete të paligjshme nga Siria.

Në provincën veriperëndimore Düzce dhe provincën verilindore Ardahan, gjithsej 14 migrantë u ndaluan nga forcat e policisë dhe të xhandarmërisë.

Migrantët janë nga shtete si Pakistani, Kongo, Siria, Iraku, Irani, Afganistani, Maroku, Egjipti, Libia, Bangladeshi, Algjeria, Somalia, Jemeni, Palestina, Nepali, Eritrea, Nigeria dhe Afrika e Jugut.

Të gjithë migrantët e mbajtur gjatë javës u dërguan në spitale për trajtim mjekësor ose u transferuan në zyrat provinciale të migracionit.

Sipas Ministrisë së Brendshme, në vitin 2018 rreth 268.000 migrantë të parregullt u ndaluan në Turqi.