Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar nesër nënshkruajnë marrëveshjen historike të tregtisë së lirë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, pas një takimi të kabinetit ka njoftuar se nesër vendi i tij dhe Mbretëria e Bashkuar do të nënshkruajnë një marrëveshje historike të tregtisë së lirë, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan theksoi se pakti me Mbretërinë e Bashkuar, që vjen disa ditë para se të përfundojë periudha tranzitore e Brexit-it, do të jetë “marrëveshja më e rëndësishme tregtare” e Turqisë që nga marrëveshja e vitit 1995 e Unionit Doganor me Bashkimin Evropian (BE).

“Një epokë e re fillon nga viti 2021, një në të cilën Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar do të fitojnë”, tha Erdoğan.

Presidenti turk po ashtu theksoi se deri më 25 dhjetor eksportet vjetore të Turqisë arritën në 166 miliardë dollarë, duke kaluar objektivat e vendit për vitin 2020.

“Ne jemi duke mbyllur deficitin e llogarisë sonë me investime të larta të vlerës së shtuar dhe duke reduktuar nevojën tonë për financim të jashtëm”, tha ai.

Vaksina kundër pandemisë COVID-19

Presidenti Erdoğan foli edhe për pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), duke theksuar se ata presin që grupi i parë i vaksinave kundër virusit, të prodhuara nga kompania kineze Sinovac, të dorëzohen në Turqi para Vitit të Ri.

Dje, ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, njoftoi se dërgesa e vaksinave kineze në Turqi është prolonguar për “një ose dy ditë” për shkak të zbulimit të një rasti të llojit të ri të koronavirusit në doganat e Pekinit.

Grupi i parë i përbërë prej 3 milionë dozave të vaksinës kineze Sinovac pritej të mbërrinte në Turqi gjatë ditës së sotme.

“Ne jemi të përkushtuar që sa më parë të sigurojmë më shumë se një vaksinë të prodhimit tonë në shërbim të kombit tonë”, tha Erdoğan.

Ai po ashtu i bëri thirrje popullit të tij që të vazhdojë të ndjekë masat mbrojtëse për të luftuar pandeminë.