Drejtori i Komunikimeve i Turqisë, Burhanettin Duran, është takuar në Ankara me ministrin sirian të Informacionit, Hamza al-Mustafa, ku u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi në komunikimin strategjik, transmeton Anadolu.
Takimi u zhvillua pas panelit me titull “Roli i Turqisë si Paqeruajtëse në Zonat e Konfliktit nga Perspektiva e Medias”, i organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë.
Në një deklaratë të shpërndarë në platformën turke NSosyal, Duran u shpreh i kënaqur që priti ministrin sirian në këtë aktivitet dhe theksoi se bisedimet u përqendruan në gjendjen aktuale dhe të ardhmen e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Sirisë.
“Të dyja palët shkëmbyen pikëpamje mbi rëndësinë e ruajtjes së komunikimit dhe kanaleve diplomatike për të ndihmuar në vendosjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale”, tha Duran.
Sipas deklaratës, palët theksuan gjithashtu përgjegjësinë e medias në situata konflikti dhe theksuan nevojën për një mirëkuptim të përbashkët në mbrojtje të së vërtetës.
Duran bëri të ditur se të dyja palët rikonfirmuan vullnetin e ndërsjellë për forcimin e bashkëpunimit në komunikimin strategjik, diplomacinë publike dhe përpjekjet kundër dezinformimit.
Ai shtoi se, nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdogan, Turqia vazhdon angazhimin për paqe të qëndrueshme, drejtësi dhe stabilitet në rajon, ndërsa Drejtoria e Komunikimeve mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së së vërtetës dhe garantimit të informimit të saktë për publikun.



