Turqia drejt zgjedhjeve të 19-ta lokale në ambient demokratik

Turqia, e cila zgjedhjet e para lokale i ka mbajtur në vitin 1930, më 31 mars të këtij viti do të organizojë zgjedhjet e 19-ta për përzgjedhjen e krerëve të administratave lokale, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të përpiluara nga AA, zgjedhjet e para lokale në Turqi janë mbajtur më 12 gusht të vitit 1930. Pas kësaj date janë organizuar gjithsej edhe 17 zgjedhje lokale, edhe atë në vitet 1934, 1938, 1942, 1946, 1950, 1955, 1963, 1968, 1973, 1977, 1984, 1989, 1994, 1999, 2004, 2009 dhe 2014.

Këtë të dielë, vendi do të mbajë zgjedhjet e para lokale nën sistemin e ri presidencial, i cili filloi të implementohet pas zgjedhjeve presidenciale dhe të 27-tat parlamentare që u mbajtën më 24 qershor të vitit të kaluar.

Në votime, në të cilat garojnë 12 parti politike dhe kandidatë të pavarur, votuesit do të kenë mundësi të zgjedhin krerët për gjithsej 1.389 bashki, përfshirë 30 bashki metropolitane, 51 provinca, 519 distrikte të bashkive metropolitane, 403 distrikte dhe 386 qyteza,

Gjithashtu, në kuadër të zgjedhjeve do të caktohen edhe 50.236 krerë të autoriteteve më të ulëta lokale, edhe atë 32.046 krerë të lagjeve dhe 18.190 të fshatrave.

Në zgjedhje do të bëhen të ditur edhe anëtarët e këshillave, konkretisht 23.044 anëtarë të këshillave bashkiakë, 1.277 anëtarë të këshillave të përgjithshëm provincialë, 128.172 anëtarë të këshillave të pleqve dhe 73.506 anëtarë të asambleve të pleqve.

Duke përfshirë kandidatët për krerë të bashkive, autoriteteve më të ulëta lokale dhe anëtarët e këshillave, gjithsej 227.624 kandidatë do të bëhen zgjidhen në votimet e së dielës, ndërsa duke marrë parasysh numrin e partive, mbi një milion kandidatë do të jenë pjesë e garës.

Fushatë ambientaliste

Fushata zgjedhore, e cila ka filluar dy muaj më parë, ka kaluar në një garë elektorale të zhvilluar në një klimë demokratike.

Qindra mijëra persona kanë vërshuar sheshet për të marrë pjesë në tubime, duke ofruar një fotografi të mjedisit demokratik.

Fushata kësaj radhe ka fituar një dimension të veçantë pasi presidenti Recep Tayyip Erdoğan kishte njoftuar gjatë një takimi të partisë së tij (AK Parti) braktisjen e metodave propagandistike në fushatë që shkaktojnë ndotje akustike dhe mjedisore.

“Fushata ambientaliste” është mbështetur edhe nga partitë e tjera, prandaj gjatë këtyre dy muajve ka qenë e pamundur të rastisen shumë afishe apo materiale të tjera siç janë broshurat.

Me vendosjen e kostove për qeset e najlonit, shumica e partive kanë ndarë fotografitë e kandidatëve dhe emblemat për elektoratin në qese të tekstilit.

Garë zgjedhore demokratike

Krahas dhuratave për zgjedhësit, vlerësim të madh në fushatë ka marrë realizimi i aktiviteteve në ambient demokratik në stenda pranë njëra-tjetrës.

Tregues tjetër i pjekurisë demokratike gjatë fushatës ka qenë edhe hapja e shtabeve zgjedhore në afërsi të njëra-tjetrës nga ana e partive të ndryshme.

Për këto zgjedhje, rol të madh si mjet promovimi ka luajtur edhe media sociale. Shumë kandidatë për kryetar bashkie kanë shpërndarë video dhe premtimet e tyre përmes rrjeteve sociale, ndërsa disa të tjerë kanë marrë pjesë si mysafirë në kanale që transmetojnë vetëm në këto rrjete.