Turqia, kërkime brenda Konsullatës saudite për gazetarin e zhdukur

Turqia njoftoi se do të hyjë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll për të kontrolluar ambientet e saj, pas zhdukjes së mistershme të gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, një kritik i ashpër i regjimit në vendin e tij.

Ministria e Jashtme saudite përcolli gatishmërinë e Rijadit për të bashkëpunuar dhe kërkesa e Ankarasë e ka marrë tashmë “dritën jeshile”.

Khashoggi u pa për herë të fundit duke hyre në Konsullatë, ku do të tërhiqte disa dokumente që i duheshin për ceremoninë e martesës, por nuk doli më prej andej.

Autoritetet turke janë të bindura se reporteri mund të jetë torturuar e vrarë brenda godinës. Sauditët këmbëngulin se gazetari ka dalë prej andej, shumë shpejt pas mbërritjes, por turqit nuk binden e këmbëngulin se 59-vjeçari nuk është parë të largohet nga ndërtesa.

Kashoggit i duhej të merrte vërtetimin që dëshmonte divorcin nga ish-gruaja e tij, në mënyrë që të lidhte kurorë me të fejuarën turke, Hatice Cengiz, e cila rrëfen se ai vet e kishte porositur që të merrte në telefon një këshilltar të presidentit Recep Tayyip Erdogan, nëse nuk do të kthehej nga Konsullata.

Një kritik i hapur i Princit të kurorës, Mohamed Bin Salman, Khashoggi jetonte në mërgim dhe shkruante analiza për “Washington Post”.