Turqia kritikon SHBA-në për “ngacmimin” e Arabisë Saudite lidhur me uljen e prodhimit të naftës

Turqia ka dënuar kritikat e SHBA-së ndaj Arabisë Saudite lidhur me vendimin e OPEC+ për të ulur prodhimin e naftës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Punëve të Jashtme të |Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, gjatë një konferencë për media në provincën jugore Mersin, kritikën e SHBA-së e quajti “ngacmim”, ndërsa Ankaraja doli në mbështetje të Rijadit për këtë çështje.

“Ne po shohim që një vend (SHBA) po kërcënon Arabinë Saudite dhe ky ngacmim nuk është i drejtë”, tha ai.

Sanksionet duhet të hiqen nëse bota dëshiron që çmimet e naftës të ulen, tha shefi i diplomacisë turke, duke shtuar se çështja nuk mund të zgjidhet duke “kërcënuar një vend (Arabinë Saudite)”.

“E gjithë bota ka nevojë për naftën dhe gazin natyror të Venezuelës. Gjithashtu edhe nafta iraniane është nën embargo. Nëse doni që çmimet e naftës të ulen, hiqni sanksionet”, theksoi ai.

Më 5 tetor, Arabia Saudite, e cila kryeson grupin OPEC+ votoi në favor të reduktimit të prodhimit të naftës me rreth 2 milionë fuçi në ditë ndërsa Shtëpia e Bardhë pretendoi se jo vetëm që dha mbështetjen e saj, por gjithashtu punoi me përkushtim në prapaskenë për të siguruar që blloku të zbaton kërkesën, duke ushtruar presion mbi vendet e tjera për ta pranuar propozimin.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka kritikuar zëshëm Arabinë Saudite dhe ka paralajmëruar për pasoja të afërta. Ai nuk ka zbuluar natyrën e përgjigjes së tij.

Reduktimi i prodhimit vjen pothuajse një muaj përpara zgjedhjeve afatmesme në SHBA, të cilat demokratët ka gjasa t’i humbin, sepse çmimet e larta të gazit dhe me një inflacion të shfrenuar nuk ka gjasa të rrisin pritjet e tyre elektorale.

– OSBE-ja është kthyer në “qendër bllokimi”

Më tej, ministri Çavuşoğlu denoncoi vendimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për të dërguar një mision në Armeni, duke theksuar se OSBE-ja është kthyer në një “qendër bllokimi”.

“Vendimi i marrë tani është kundër rregullave të funksionimit të OSBE-së. Një fakt i tillë i kryer është i papranueshëm”, tha Çavuşoğlu.

Ai më tej tha se OSBE-ja nuk ishte në gjendje të gjejë një zgjidhje për mosmarrëveshjen Azerbajxhan-Armeni pasi ajo “ka mbajtur anën e pushtuesit” për 30 vitet e fundit.

OSBE-ja njoftoi se më 21-27 tetor do të dërgojë një ekip të vlerësimit të nevojave në Armeni, pas ftesës së Jerevanit.

Të martën, OSBE-ja kërkoi një “armëpushim të menjëhershëm” pas përplasjeve të fundit në kufirin midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Marrëdhëniet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria arme pushtoi Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.

Gjatë përleshjeve 44-ditore në vjeshtën e vitit 2020, të cilat përfunduan pas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Moska, Baku çliroi disa qytete, fshatra dhe vendbanime nga pushtimi i Armenisë. Marrëveshja e paqes shënohet si një triumf në Azerbajxhan.