Turqia mirëpriti 11,2 milionë turistë të huaj në 10 muaj

Turqia mirëpriti rreth 11,2 milion vizitorë të huaj gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2020, bëri të ditur Ministria e Kulturës dhe Turizmit e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë masave bllokuese dhe kufizimeve të udhëtimit në gjithë botën për shkak të pandemisë, numri i të huajve që vizituan vendin shënoi një rënie me rreth 72,5 për qind në bazë vjetore, treguan të dhënat e ministrisë.

Ndërsa vendi priti rreth 5,7 milion vizitorë të huaj në tre muajt e fundit, nga gushti deri në tetor, kjo shifër ishte rreth vetëm 50.000 gjatë prillit dhe majit, kur pandemia arriti kulmin në Turqi.

Në periudhën dhjetëmujore, Stambolli mbeti destinacioni kryesor turistik i Turqisë, duke tërhequr 37,09 për qind të të gjithë vizitorëve, ose rreth 4,15 milionë.

Qyteti mesdhetar turistik Antalya radhitet i dyti me 27,67 për qind ose mbi 3,1 milionë vizitorë të huaj në të njëjtën periudhë, kurse provinca veriperëndimore Edirne, e cila kufizohet me Bullgarinë dhe Greqinë, radhitet e treta për nga numri i vizitorëve me 13,47 për qind.

Rreth 8,5 milionë vizitorë erdhën në Turqi përmes rrugëve ajrore, ndërsa 2,5 milionë zgjodhën autostradat, 148,550 rrugët detare dhe 162.188 përmes hekurudhës.

Rusët përbënin rreth 17,06 për qind ose gati 1,91 milion vizitorë, të ndjekur nga gjermanët me 9,26 për qind (1,03 milion vizitorë) dhe Bullgarët me rreth 8,91 përqind (997.470).

Në tetor, vendi priti 1,74 milion vizitorë të huaj, 59,40 përqind më pak se një vit më parë.

Në vitin 2019, më shumë se 45 milionë të huaj hynë në vend, nga gati 39,5 milionë në vitin 2018.