Turqia po punon për një takim Putin-Zelensky

Turqia po vazhdon të punojë për organizimin e një takimi ndërmjet presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensku, ka thënë të enjten ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu për televizionin turk NTV, raporton CNN.

“Ne e dimë që çështjet kritike do të vendosen në nivel liderësh, kështu që do të mundohemi t’i takojmë ata”, ka thënë Cavusoglu.

Sipas tij, Turqia po vazhdon t’i shohë negociatat mes dy vendeve me optimizëm, edhe pas krimeve në Bucha dhe Irpin të cilat kanë ndikuar në mënyrë negative në këtë proces.

“Imazhet çnjerëzore nga rajonet si Bucha dhe Irpin, të cilat ne gjithashtu i dënojmë, ndryshuan atmosferën. Krijuan një atmosferë negative në palën ukrainase. Ndërsa kishte deklarata të ndryshme nga Federata Ruse në lidhje me këtë, kjo në fund të fundit ndikoi negativisht në procesin e negociatave”, ka thënë ai.

Ministri i Jashtëm tha se ndërsa ekziston mundësia për një armëpushim, “nëse luftimet zgjasin dhe sulmet e reja ndodhin në Donbas, kjo do të jetë më e vështirë për t’u arritur”.

Në fillim të këtij muaji, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i tha Putinit se do të dëshironte ta bashkonte atë me Zelenskyn, pas një takimi ballë për ballë që u mbajt midis delegacioneve negociuese ruse dhe ukrainase në Stamboll në muajin mars. /koha