Turqia priti 9,5 milionë vizitorë të huaj në 9 muajt e vitit 2020

Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë ka bërë të ditur se vendi ka pritur rreth 9,46 milionë vizitorë të huaj gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të dhënat e ministrisë tregojnë se mes bllokimeve dhe kufizimeve të udhëtimit në të gjithë botën për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), numri i të huajve që vizituan Turqinë gjatë 9 muajve ra për rreth 74 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Gjatë dy muajve të fundit, gusht dhe shtator, Turqia priti 4 milionë vizitorë të huaj, ndërsa gjatë muajve prill dhe maj, kur pandemia arriti kulmin në vend, priti vetëm 50 mijë vizitorë.

Në periudhën nëntë mujore, Stambolli ishte vendi më atraktiv turistik i Turqisë, duke tërhequr 38,28 për qind nga numri i përgjithshëm i vizitorëve, repsektivisht 3,6 milionë vizitorë të huaj.

Në të njëjtën periudhë, qyteti turistik i Mesdheut, Antalya, u rendit pas Stambollit me 25,56 për qind ose mbi 2,4 milionë vizitorë të huaj, ndërsa provinca veriperëndimore Edirne, e cila kufizohet me Bullgarinë dhe Greqinë, u rendit e treta me 13,16 për qind nga numri i përgjithshëm i vizitorëve të huaj.

Rreth 7,2 milionë vizitorë erdhën në Turqi përmes rrugëve ajrore, ndërsa 2,12 milionë erdhën përmes rrugëve tokësore, 148.550 përmes rrugëve detare dhe 4.523 përmes rrugëve hekurudhore.

Rusët përbënin rreth 15 për qind apo gati 1,4 milionë nga numri i përgjithshëm i vizitorëve, ndjekur nga gjermanët me 9,65 për qind ose 912.759 vizitorë dhe ukrainasit me rreth 8,17 për qind ose 772.851 vizitorë.

Në muajin shtator, vendi priti 2,2 milionë vizitorë të huaj, me një rënie prej 59,40 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Në vitin 2019 mbi 45 milionë vizitorë të huaj vizituan Turqinë, ndërsa në vitin 2018 pothuajse 39,5 milionë vizitorë.