Turqia u kundërpërgjigjet kërcënimeve të Haftarit

Ministri i Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar iu kundërpërgjigj ashpër kërcënimeve të komandantit të forcave në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, dhe tha se çdo formë e armiqësisë dhe sulmit ndaj Turqisë do të ndeshet me përgjigje të ashpër dhe efektive, raporton Anadolu Agency (AA).

Akar i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Japoni, si pjesë e delegacionit të udhëhequr nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, në një prononcim për AA komentoi kërcënimet e fundit të komandantit të forcave në lindje të Libisë, Haftar në adresë të Turqisë.
Duke theksuar se Turqia mbështet tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Libisë, ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar ka thënë se Ankaraja zyrtare vazhdon të mbështesë mirëqenien dhe prosperitetin e popullit dhe shtetit të Libisë në frymën e marrëveshjes së arritur të pajtimit kombëtar.

“Çdo qëndrim apo sulm armiqësor në mesin e kontributeve tona për arritjen e paqes dhe stabilitetit në rajon do të ndeshet me një përgjigje të ashpër dhe efektive. Të gjithë duhet ta dinë se do të paguajnë çmim të lartë për çdo kërcënim dhe veprim armiqësor kundër Turqisë”, tha Akar.

Ai gjithashtu tha se Turqia do të vazhdojë të luftojë për respektimin e normave ligjore ndërkombëtare dhe të mbështesë përpjekjet e bëra nga OKB-ja në procesin e arritjes së paqes dhe stabilitetit në Libi.

Të premten, Ahmed al-Mizari, zëdhënësi i komandantit libian Khalifa Haftar, tha se Haftar lëshoi ​​një urdhër për ndalimin e fluturimeve komerciale të kompanive turke në Libi. Ai tha se është lëshuar urdhër për të sulmuar anijet turke në ujërat e Libisë.

Haftar nisi operacionet ushtarake në fillim të prillit me planin ambicioz për pushtimin e kryeqytetit Tripoli, ku ndodhet selia e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar.

Libia është zhytur në trazira që nga viti 2011, kur nga pushteti u përmbys Muamar Gadafi dhe më pas u vra në një kryengritje të përgjakshme me mbështetjen e NATO-s.