Turqia vazhdon ndalesën tregtare ndaj Izraelit, hedh poshtë pretendimet për ndryshim kursi

Omer Bolat

Ministri i Tregtisë i Turqisë dhe Qendra për Luftimin e Dezinformimit mohuan sot pretendimet se Ankaraja ka hequr kufizimet tregtare ndaj Izraelit, transmeton Anadolu.

Pretendimet e Izraelit për heqjen e ndalesës tregtare nga Turqia janë “absolutisht imagjinare dhe nuk kanë asnjë lidhje me realitetin”, tha ministri Omer Bolat në X.

Më 2 maj, Ministria turke e Tregtisë njoftoi se Ankaraja pezulloi të gjitha operacionet e eksportit dhe importit me Izraelin për shkak të “agresionit të tij kundër Palestinës, duke shkelur ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat e njeriut”.

“Ne qëndrojmë prapa vendimit që kemi marrë si qeveri në lidhje me tregtinë me Izraelin. Ky vendim mbetet i vlefshëm”, shkroi ai.

Masat e reja të Turqisë do të zbatohen derisa qeveria izraelite të ndalojë sulmet e saj në Gaza dhe të sigurohet një armëpushim i përhershëm dhe një rrjedhë e pandërprerë e ndihmave humanitare në Gaza, shtoi Bolat.

“Pretendimi i paraqitur nga zyrtarët izraelitë dhe i shfaqur në mediat e shtypit, se ‘Turqia ka hequr kufizimet tregtare kundër Izraelit’, nuk është i saktë”, shkroi Qendra e Luftimit të Dezinformimit pranë Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës turke në X.

“Vendimi i Turqisë për të pezulluar tregtinë me Izraelin mbetet i vlefshëm derisa të plotësohen kushtet, duke përfshirë ndërprerjen e sulmeve izraelite në Gaza, arritjen e një armëpushimi të përhershëm dhe sigurimin e ndihmës humanitare të pandërprerë për palestinezët në Gaza”, thuhet në deklaratë.

Deklarata vuri në dukje “përpjekjet e vazhdueshme politike dhe diplomatike të nivelit më të lartë të Türkiyes kundër masakrës së kryer nga Izraeli ndaj popullit të pafajshëm palestinez në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023”.

“Pretendime të tilla, që synojnë manipulimin e opinionit publik ndërkombëtar, nuk kanë asnjë bazë në realitet”, theksohet në reagim.