Pamje që Serbia nuk do donte kurrë t’i shihte: sisteme të reja antitant zbarkojnë në Prishtinë
Kosova mori një dërgesë të re të sistemeve raketash antitank OMTAS nga Turqia të martën, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se sistemi raketash antitank u kontraktua me prodhuesin shtetëror turk të armëve Roketsan në dhjetor 2023.
“Sot pranuam dërgesën e radhës të sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me prodhuesin shtetëror turk Roketsan në dhjetor të vitit 2023.
OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) është një sistem modern raketor anti-tank me rreze të mesme veprimi, i zhvilluar për të neutralizuar mjete të blinduara moderne, përfshirë tanke me mbrojtje reaktive, si dhe fortifikata mbrojtëse ushtarake.
Rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank për ushtrinë tonë ka për qëllim mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, terreneve dhe skenarëve të kërcënimit, duke rritur fleksibilitetin operacional”, shkroi Maqedonci.
Në vitet e fundit, Kosova ka intensifikuar modernizimin e kapaciteteve të saj të sigurisë, me mbështetjen e vendeve partnere, përfshirë Turqinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Kroacinë dhe Shqipërinë.

Është një lloj armatosje që ka shqetësuar fort Serbinë, jo se druhet një sulmi nga Kosova, por se nuk mund të bëjë më me Kosovën atë që ka bërë dikur. /tesheshi.com/




