Turqia zotohet të pastrojë mukozën e Detit Marmara

Ministri turk i mjedisit u zotua të dielën të mposhtë “mukozën detare” që po kërcënon Detin Marmara. Ai foli për një plan për menaxhimin e emergjencës që do të garantojë të ardhmen.

Një shtresë e trashë materieje organike, e njohur si mukoza detare, është përhapur në ujërat në jug të Stambollit, duke kërcënuar jetën nënujore dhe industrinë e peshkimit.

Gjire, brigje dhe masa të tëra ujore më në thellësi janë mbuluar nga shtresa në ngjyrë gri, një pjesë e së cilës zhytet nën ujë nga dallgët, duke shkatërruar gjallesat në tabanin e detit.

“Shpresojmë që së bashku të mbrojmë Detin Marmara përmes kornizës së planit për emergjenca,” tha ministri Murat Kurum, në komentet që bëri nga një anije kërkimore që mblidhte kampionë nga substanca.

“Do të marrim masa dhe brenda tre vjetësh do të realizojmë projekte që do të shpëtojnë jo thjesht të tashmen, por edhe të ardhmen,” tha ai.

Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike dhe ndotja kanë kontribuuar në shtimin e mikroorganizmave që pëlqejnë mjedisin e ndotur nga ujërat e zeza që derdhen në det.

Presidenti Taip Erdogan fajësoi për përhapjen e masës ujërat e papërpunuara që derdhen nga qytetet kryesore, përfshirë Stambollin, ku jetojnë 16 milionë vetë. Ai u zotua të “pastrojmë detet nga kjo mortajë mukoze”.