Turqia“dënon fuqishëm” përfshirjen e administratës së Qipros Greke në programin e partneritetit ushtarak të SHBA-së

Turqia ka dënuar fuqishëm përfshirjen e administratës së Qipros Greke në një program të partneritetit ushtarak të SHBA-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë tha se dënon fuqishëm “përfshirjen e administratës së Qipros Greke në programin e partneritetit shtetëror të Byrosë së Gardës Kombëtare, në kuadër të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së”.

“Nga këndvështrimi ynë, lëvizja e fundit e SHBA-së, dy javë pas heqjes së embargos së armëve ndaj GCA-së (administrata e Qipros Greke), nuk ka asnjë justifikim”, tha ministria turke.

Më tej, në njoftimin e ministrisë thuhet se lëvizja e fundit e SHBA-së “po shkon përtej prishjes së ekuilibrit midis dy palëve në ishull” dhe se “SHBA-ja dukshëm është bërë e njëanshme”.

“Me lëvizje të tilla, SHBA-ja po humbet mundësinë e saj për të luajtur një rol konstruktiv për një zgjidhje të drejtë, të përhershme dhe të qëndrueshme të çështjes së Qipros”, theksoi ministria turke.

Turqia po ashtu u zotua se do të vazhdojë të marrë “të gjitha hapat e nevojshme për të garantuar sigurinë e popullit qipriot turk”, si një shtet garantues.

“Ne mbështesim deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të TRNC-së (Republika Turke e Qipros Veriore) në lidhje me këtë çështje”, shtoi ministria. /aa