▪️Hixhreti i Profetit Muhamed ﷺ nga Meka në Medinë nuk është thjesht një episod historik, por një ide filozofike:
👉 largim nga shtypja drejt lirisë,
👉 nga shoqëria fisnore drejt qytetërimit,
👉 nga homogjeniteti i imponuar drejt pluralizmit të pranueshëm.
Para islamit, Medina quhej Jethrib, ndoshta me kuptimin “strehë për të arratisurit” – një paralajmërim simbolik për ngjarjen që do të ndodhte. Me ardhjen e Profetit, ajo mori emrin Medinë – që nënkupton hapje qytetare dhe bashkëjetesë ndërfetare.
🔹 Në Kuran, bëhet dallim mes fshatit (Karjeh) – homogjen, i mbyllur – dhe qytetit (medinë) – hapësirë për shumë komunitete.
🔹 Profeti emigroi nga Meka – vendi i një tribuje dhe një feje – drejt Medinës multietnike dhe multifetare.
Ky hixhret është model për të gjithë besimtarët, kur shtypja i bën kushtet të ngjashme: “A nuk është Toka e Allahut e gjerë që të emigroni në të?”
▪️Islami ka qenë historikisht i lidhur me qytetërimin.
Shfaqja e parë e fjalës “muslimanë” në Kuran lidhet me Ibrahimin, në kohën e qytetërimit babilonas, ku kishim shkrimin, ligjin dhe shoqëri të zhvilluara.
Abbas El-Akkad thekson se fetë monoteiste lindën në qytete tregtare, në kufi mes botës së qytetëruar dhe asaj beduine – një terren që krijon ekuilibër kulturor e psikologjik dhe aftësi për të pranuar mesazhe universale.
▪️Ajo që të bie vërtet në sy është se katër profetët e mëdhenj: Ibrahimi, Musai, Isai dhe Muhamedi, e nisën shpalljen e mesazheve të tyre në vendlindjen ku ishin rritur, por më pas të gjithë emigruan prej saj drejt një vendi tjetër.
Pra, të gjithë, në këtë kuptim, ishin emigrantë (muhaxhirë).
• Ibrahimi e nisi thirrjen e tij në ultësirën e Kaldesë në jug të Irakut, dhe më pas emigroi në Palestinë, Egjipt dhe Mekë, pasi kishte kaluar nëpër Haran dhe Damask.
• Musai e nisi thirrjen në qytetin Ramses, pastaj emigroi në Sinai si ndalesë drejt Palestinës.
• Isai e nisi thirrjen në Galile, pastaj emigroi në Jerusalem.
• Muhamedi e nisi thirrjen në Mekë dhe më pas emigroi në Medinë.
Arsyeja kryesore e emigrimit të këtyre profetëve ishte shpëtimi nga përndjekja – përveç Isait, dhe ky përjashtim përputhet me natyrën e misionit të tij, i cili nuk kishte qëllim ndërtimin e një shoqërie të re, siç ishte rasti me tre profetët e tjerë, por lajmërimin e Mbretërisë së ardhshme të Zotit, siç quhet në Ungjill.
⸻
Por, shumë muslimanë nuk e kuptuan këtë lidhje thelbësore mes Islamit dhe qytetërimit.
Ata nuk reflektuan mbi thënie të qarta si:
🔸 “Beduinët janë më të prirë për mosbesim dhe hipokrizi…”
🔸 “Zoti më bëri mirë kur më nxori nga burgu dhe ju solli nga shkretëtira…”
▪️Filozofia islame duhej ta shfrytëzonte këtë për të ndërtuar një teori mbi Islamin si fe e qytetërimit, e jo të mbetej peng i strukturave fisnore.
Islami në thelb është fe e lirisë, qytetërimit dhe bashkëjetesës, jo e prapambetjes dhe fanatizmit.
Hixhreti është simboli i përhershëm i këtij kalimi nga ngushtësia në hapësirë, nga përjashtimi në përfshirje.
Hoxhë Halil Avdulli








