Ujgurët në ekzil në Turqi protestojnë kundër “gjenocidit kinez”

Ujgurët kanë protestuar sot para konsullatës kineze në Stamboll, duke akuzuar Kinën se po ushtron gjenocid ndaj pakicës ujgure në shtetin komunist. Aktivistët ujgurë në ekzil në Turqi kanë thënë se Pekini zyrtar po e përdor politikën zero-COVID për t’i shtypur edhe më shumë të drejtat e pakicës myslimane.

Dhjetëra njerëz u mblodhën pranë konsullatës kineze në Stamboll të dielën për të protestuar, pasi një zjarr javën e kaluar në rajonin veriperëndimor të Kinës, Xinjiang, la 10 persona të vdekur dhe nëntë të plagosur.

Protesta ishte e fundit në një varg demonstratash këtë javë në Turqi pas zjarrit që shpërtheu në kryeqytetin rajonal Urumqi.

Zjarri në një ndërtesë apartamentesh erdhi mes bllokimeve të rrepta që kanë lënë shumë banorë të zonës të mbërthyer në shtëpitë e tyre për më shumë se tre muaj.

“Ne kërkojmë nga Qeveria kineze ta ndalojë gjenocidin ujgur, si dhe të ndalojë shtypjen brutale ndaj ujgurëve. Ajo që dua t’i them edhe komunitetit ndërkombëtar është se kjo betejë nuk është vetëm betejë midis popullit ujgur dhe Qeverisë kineze. Kjo është një betejë midis demokracisë dhe komunizmit gjithashtu. Kjo është betejë midis drejtësisë dhe padrejtësisë gjithashtu. Kjo është beteja midis vlerave perëndimore dhe gjithashtu vlerave të komunizmit. Pra, në thelb ajo që dua të them është se Qeveria e Kinës jo vetëm që po bën gjenocid ndaj popullit ujgur, por po kryen krim edhe kundër njerëzimit”, ka thënë demonstruesi etnik ujgur dhe profesori i ekonomisë, Burhan Uluyol.

Ujgurët janë një grup turkik vendas në një rajon në Kinë të quajtur Xinjiang në kinezisht, porse ujgurët e quajnë atë Turkestani Lindor.

Ata kanë kërkuar strehim në Turqi për dekada të tëra për shkak të lidhjeve të përbashkëta kulturore me vendin. Janë komunitet i fortë me rreth 50 mijë anëtarë.

“Të gjithë janë të mbyllur. Ata nuk kanë liri, nuk mund të hanë e as të pinë. Kjo është situata. Turqia dhe pjesa tjetër e botës, duhet t’i thotë ‘stop’ shtypjes së Kinës menjëherë”, ka thënë Marifet Medniyas, demonstrues.

Xinjiang ka qenë nën izolime të ashpra për më shumë se tre muaj për të luftuar përhapjen e koronavirusit nën politikën kineze “zero-COVID”.

Vendi është përballur me një valë rastesh në javët e fundit, duke shkaktuar bllokime të vazhdueshme dhe kufizime të ngurta udhëtimi që prekin qindra miliona njerëz. /koha