Ukraina kërkon nga OKB më shumë presion ndaj Rusisë

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmitro Kuleba i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara (OKB) të ushtrojë presion ndaj Rusisë që të evakuojë Portin e Mariupolit.

Në një prononcim të bërë për “Associated Press” (AP) ministri i Jashtëm Dmitro Kuleba shprehu shqetësimin që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Gueterres do të udhëtojë në Moskë përpara vizitës së tij në Kiev dhe se Gueterres mund të bie në një “kurth” të Rusisë në lidhje me luftën.

Duke vënë në dukje që shumë zyrtarë kanë rënë në kurthë gjatë vizitës së tyre në Moskë, ministri Kuleba tha: “Gueterres duhet të fokusohet kryesisht në një çështje, dhe kjo është evakuimi i Mariupolit”.

Kuleba vlerësoi gjithashtu vizitën kritike në Ukrainë nga Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken dhe sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, duke i përshkruar ata si përfaqësues të “një vendi që bën më shumë për Ukrainën se çdo vend tjetër në botë”.

Në pyetjen nëse zhvillimet e reja janë të mjaftueshme, Kuleba tha se “Për sa kohë që trupat ruse vazhdojnë të jenë në Ukrainë, asgjë nuk mjafton”.

Perëndimi duhet të sigurojë shpejt armët që i duhen Ukrainës për të fituar luftën dhe për të parandaluar që Presidenti rus Vladimir Putin të shkojë “thellë në Evropë”, tha Kuleba.

“E dini, çdo bisedë për armët fillon me duke thënë, ‘Ne kemi nevojë për këtë.’ Ndërsa përgjigja është: “Ne nuk mendojmë se është pikërisht ajo që ju nevojitet. Le të mendojmë për këtë.’ Duhet kohë për të menduar, por problemi është se lufta vazhdon këtu”, tha ai.

Ai gjithashtu shtoi se nuk mendon që homologu i tij rus Sergey Lavrov është gati për një takim serioz, ndërsa Rusia nuk ishte e gatshme të “gjejë një zgjidhje përmes negociatave”.

“Nëse shoh se ata e kanë ndryshuar këtë qëndrim dhe janë të gatshëm të kërkojnë zgjidhje të pranueshme reciprokisht, do ta kapërcej neverinë time dhe do të flas me të”, tha ai.

Kuleba theksoi se sa më shpejt që Putin të pranojë të takohet me Zelenskiy, aq më shumë ka të ngjarë që lufta të përfundojë.

Dmitro Kuleba tha se përshkallëzimi i tensioneve në Mariupol do të eliminonte gjithashtu shanset e negociatave me Rusinë.

Zëvendëskryeministrja ukrainase Irina Vereshchuk raportoi dje se evakuimi i civilëve në uzinën Azovstal në rajonin e Mariupolit nuk është bërë. /trt