Boychenko i përshkroi veprimet e ushtrisë ruse si një “gjenocid të njerëzve në Mariupol”. Pa furnizim me energji elektrike, ngrohje dhe ujë, tha ai, tani është e pamundur të jetosh në qytet
Kryetari i bashkisë së qytetit ukrainas Mariupol, Vadym Boychenko, ka bërë të ditur se rreth 160 mijë civilë janë bllokuar në qytetin e tij të rrethuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Fatkeqësisht ka ende shumë njerëz në Mariupol. Shifra është mbi 100 mijë. Sipas vlerësimeve tona, rreth 160 mijë civilë janë në qytet”, tha Boychenko për një televizion lokal.
Boychenko i përshkroi veprimet e ushtrisë ruse si një “gjenocid të njerëzve në Mariupol”. Pa furnizim me energji elektrike, ngrohje dhe ujë, tha ai, tani është e pamundur të jetosh në qytet.
Ai theksoi se rusët premtuan se do të hapin një korridor humanitar në Mariupol, “por në fakt janë ata që pengojnë atë”.
Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.151 civilë janë vrarë dhe rreth 1.800 të tjerë janë plagosur që kur Rusia filloi luftën kundër Ukrainës më 24 shkurt, por theksohet se shifra e vërtetë e viktimave është shumë më e lartë.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se po ashtu mbi 3.8 milionë refugjatë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje, ndërkohë me miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit. /aa





