Ukrainë, ndalojnë plotësisht aktivitetet prodhuese në centralin bërthamor Zaporizhzhia

Kompania shtetërore e energjisë bërthamore e Ukrainës, Energoatom njoftoi se është ndaluar aktiviteti i reaktorit të fundit që punonte në centralin bërthamor Zaporizhzhia, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga kompania, vihet në dukje se për shkak të luftimeve në rajon janë dëmtuar të gjitha lidhjet e centralit bërthamor Zaporizhzhia me rrjetin e Ukrainës.

Një lidhje e centralit me rrjetin e Ukrainës u sigurua sërish në natën e 11 shtatorit. “Në këtë mënyrë u bë e mundur që centrali të furnizohej me energji elektrike dhe u vendos që të ndërpritet funksionimi i reaktorit të vetëm që funksiononte në central dhe të kalohet në situatën ‘ndalimi i ftohtë‘ që është më e sigurta”, thuhet në deklaratë.

– Centrali më i madh bërthamor në Evropë

Centrali bërthamor Zaporizhzhia që ndodhet në juglindje të Ukrainës llogaritet si centrali më i madh bërthamor në Evropë.

Me gjashtë reaktorë bërthamorë dhe një kapacitet për prodhimin e energjisë elektrike prej 5.700 megavat-orë, centrali plotëson 20 për qind të prodhimit të energjisë elektrike në Ukrainë.

​​​​​​​Centrali u mor nën kontroll nga Rusia më 4 mars. Përreth centralit, i cili aktualisht është nën kontrollin e ushtrisë ruse, ndodhin sulme artilerike. Ukraina dhe Rusia akuzojnë njëra-tjetrën lidhur me këto sulme.