Më shumë se 100 mijë fëmijë janë zhvendosur si pasojë e përshkallëzimit të fundit të dhunës në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, ka paralajmëruar UNICEF, duke theksuar se shifrat pritet të rriten ndërsa luftimet vazhdojnë të përhapen.
Sipas një deklarate të UNICEF-it të publikuar të dielën, që nga 1 dhjetori mbi 500 mijë persona janë zhvendosur nga luftimet e ashpra, ndërsa vetëm në provincën e Kivu Jugor fëmijët përbëjnë më shumë se 100 mijë nga të zhvendosurit.
Agjencia e OKB-së tha se që nga 2 dhjetori qindra persona janë vrarë, përfshirë edhe fëmijë. Të paktën katër nxënës janë vrarë, gjashtë janë plagosur dhe të paktën shtatë shkolla janë sulmuar ose dëmtuar.
Dhuna ka detyruar qindra mijëra fëmijë dhe familje të largohen brenda vendit ose të kalojnë kufijtë drejt Burundit dhe Ruandës. UNICEF njoftoi se vetëm mes 6 dhe 11 dhjetorit mbi 50 mijë persona kanë hyrë në Burundi, gati gjysma e tyre fëmijë.
“Fëmijët nuk duhet kurrë të paguajnë çmimin e konfliktit,” theksoi UNICEF.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar për shkelje të marrëveshjes së paqes të nënshkruar në Uashington. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se veprimet e Ruandës në lindje të Kongos përbëjnë “shkelje të qartë” të marrëveshjes dhe se Uashingtoni “do të ndërmarrë veprime për të siguruar që premtimet të respektohen”.
Dhuna në lindje të Kongos ka vazhduar për dekada, duke shkaktuar mijëra viktima dhe zhvendosjen e miliona njerëzve. /mesazhi




