Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë thirrje për të thyer “bllokadën” ndaj popullit palestinez

Kryetari i Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, prof. dr. Ahmed al-Raissouni u bëri thirrje dijetarëve islamë që të thyejnë “bllokadën” e cila ka filluar të formohet pasi disa vende arabe nënshkruan marrëveshje normalizimi me Izraelin, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Normalizimi i disa regjimeve arabe (me Izraelin) kërcënon të eliminojë kauzën palestineze dhe krijon një bllokadë të re kundër popullit palestinez i cili qëndron në këmbë duke mos humbur vendosmërinë pavarësisht normalizimit”, tha Raissouni i cili foli në hapjen e takimit të 4-t të Këshilit të përgjithshëm që Delegacioni i Dijetarëve Palestinezë Jashtë Vendit zhvilloi nëpërmjet video-konferencës.

Raissouni u bëri thirrje dijetarëve islamë që të thyejnë me kundërsulm këtë bllokadë, të mbajnë një qëndrim të vendosur dhe duke formuar një ndërgjegjësim të vendosin nën bllokadë Izraelin dhe ata që bëjnë marrëveshje normalizimi me të.

Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë, në punimet e tij për ftesë (dawe) dhe reforma përfaqëson udhëheqjen e lëvizjes së umetit, njoftoi Raissouni i cili shtoi se është e detyrueshme që të nxirret në plan të parë kauza palestineze dhe delegacioni i Dijetarëve Palestinezë Jashtë Vendit.

Edhe kreu i delegacioni të Dijetarëve Palestinezë Jashtë Vendit, Nawwaf et-Tekruri foli me lëvdata për mbështetjen dhe rolin e dijetarëve islamë ndaj kauzës palestineze.

Tekruri shprehu keqardhjen që disa vende arabe nënshkruan marrëveshje normalizimi me Izraelin. Ai tha se lufta kundër normalizimit, refuzimi i saj dhe qëndrimi përballë saj janë një prej detyrave më të rëndësishme të dijetarëve islamë.

Ai shtoi se populli arab nuk i miraton marrëveshjet e normalizimit që regjimet kanë kryer me Izraelin.

Imami i Xhamisë Aksa, Sheikh Ekrima Sabri i bëri thirrje dijetarëve islamë që të bashkohen dhe të krijojnë një front të gjerë për të vendosur ekzistencën e tyre.

Sabri i rekomandoi Delegacionit të Dijetarëve Palestinezë Jashtë Vendit, që të përgatisë dhe të nderojë me një libër rreth mendimeve dhe jetëve të dijetarëve të cilët kanë humbur jetën, numri i të cilëve arrin në rreth 70.

Marrëdhëniet serioze të zhvilluara në fshehtësi prej një kohe të gjatë mes vendeve të Gjirit, kryesisht mes Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Izraelit, u bënë publike pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi arritjen e marrëveshjes së paqes mes Izraelit dhe EBA-së më 13 gusht dhe me Bahreinin më 11 shtator.

Sipas shtypit izraelit dhe ekspertëve, në radhë për procesin e normalizimit me Izraelin janë Omani dhe Arabia Saudite.