Unitedi e pret Cityn në “Old Trafford”

Derbi i qytetit të Manchesterit, do ta mbyllë xhiron e dhjetë në Premier League. Të dielën prej orës 16:30 në stadiumin “Old Trafford”, Manchester Unitedi e pret Manchester Cityn. Në fakt, kjo edhe do të jetë përballja më interesante e këtij vikendi në futbollin anglez. Kampioni në fuqi, City, nuk ka treguar formë të mirë në kampionat në xhirot e fundit. Ka një fitore dhe dy humbje rresht në tri ndeshjet e fundit, ndërsa Unitedi ka regjistruar dy fitore dhe një disfatë.

Në tabelë, City është më lart se Unitedi. Zë vendin e dytë me 21 pikë të mbledhura, gjashtë më shumë se Unitedi që renditet i teti. Kjo do të jetë përballja e parë e këtyre skuadrave që nga finalja e Kupës FA, të cilën e fitoi City për ta kompletuar “tripletën” edicionin e shkuar. Megjithatë, Unitedi do të jetë i motivuar për këtë ndeshje, sidomos pas fitores së parë në Ligën e Kampionëve që e mori në mesjavë. Mposhti 1:0 Copenhagenin pas dy humbjeve rresht, me golin e shënuar nga mbrojtësi Harry Maguire.

Trajneri Erik ten Hag mund të llogarit në mbrojtësin e krahut, Aaron Wan-Bissaka që është rikuperuar nga lëndimi, por në dyshim mbetet braziliani Casemiro. Për dallim prej Unitedit, skuadra e Cityt do të jetë pa mbrojtësin Manuel Akanji. City në këtë derbi futet pas fitores 3:1 në udhëtim kundër Young Boysit të mërkurën mbrëma në Champions. Sulmuesi Erling Haaland kontribuoi me dy gola dhe do të jetë rreziku më i madh për portierin Andre Onana, i cili me pritjen e penalltisë në minutat shtesë ia siguroi fitoren Unitedit ndaj Copenhagenit.

Skuadra e Arsenalit që ka 21 pikë dhe nuk di ende për humbje në kampionat, do të mundohet ta vazhdojë këtë ecuri edhe në xhiron e dhjetë. Të shtunën, prej 16:00, Arsenali e pret në shtëpi skuadrën e Sheffield Unitedit. Ekipi i trajnerit Mikel Arteta vlerësohet favorit i madh përballë Sheffieldit që zë vendin e fundit në tabelë me vetëm një pikë.

Të shtunën, luan edhe Chelsea, por prej orës 13:30 kundër skuadrës së Brightonit. Ndërkohë, në orën 18:30, Wolverhamptoni luan në shtëpi ndaj Newcastle Unitedit.