Ushqimet dhe pijet që nuk duhet t’i konsumoni kur udhëtoni, sipas ekspertëve

Kur udhëtoni merrni me vete gjithçka ju duhet, por me siguri në listën e gjatë të gjërave nuk keni parashikuar dhimbjet e kokës, të vjellat, fryrjet e stomakut, etj.

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) vlerësojnë se 30% deri në 70% e pushuesve përjetojnë atë që ekspertët e etiketojnë si “diarreja e udhëtarit” në varësi të vendit ku shkojnë.

“Infeksionet që vijnë nga ushqimi mund t’ju prekin në çdo kohë”, tha për HuffPost Leah Silberman, një dietologe në Manhatan. “Udhëtimi ju ekspozon ndaj ushqimeve të reja, mënyra të reja të trajtimit dhe standardeve ndryshe të pastërtisë. Kjo rrit shanset tuaja për të rënë në kontakt me infeksionet, kundër të cilëve trupi juaj mund të mos ketë mbrojtje.”

“Udhëtimet rrisin rrezikun për të pasur probleme me tretjen. Së bashku me mospërshtatjen me ushqimet e reja ose përballjen me procese ndryshe të trajtimit të ushqimit, ndryshimet e klimës mund të dobësojnë sistemin tuaj imunitar”, shpjegoi Silberman.

Ndaj, herën tjetër që do të udhëtoni, ndiqni këto këshilla për t’u mbrojtur nga “diarreja e udhëtarit”. Dietologët dhe ekspertët e sigurisë ushqimore tregojnë ushqimet që ju vënë në rrezik për sëmundje, sa herë ju udhëtoni.

Ushqimet dhe pijet që duhen shmangur kur udhëtoni:

Peshk dhe mish i papërpunuar

“Ne nuk mund ta dimë origjinën e këtyre ushqimeve, sa kohë kanë qenë jashtë dhe kushtet si janë ruajtur”, thotë Vanessa Rissetto, një dietologe dhe CEO e platformës Culina Health. “Biftekët, tartari, sushi ose ushqimet e detit të papërpunuara, mund të rrisin rrezikun për baktere, parazitë ose viruseve”, u shpreh dieotologia Silberman.

Frutat dhe perimet e freskëta

“Frutat dhe perimet e freskëta që kanë qëndruar jashtë për një kohë mund të tërheqin mikrobet që mund t’ju sëmurin”, tha dietologia Rissetto. Zgjidhni produkte të gatuara kur mundeni, që të siguroheni se temperaturat e larta kanë vrarë patogjenët. “Nëse do të hani fruta dhe perime të freskëta, ato janë më të sigurta kur lahen me ujë të pijshëm dhe kur qërohen nga personi që i ha”, shtoi Mitzi Baum, drejtoresha ekzekutive e organizatës joqeveritare “Stop Foodbourne Illness”.

Produktet e qumështit

Qumështi i pasterizuar dhe produktet e tij në kuti të mbyllura janë të sigurt për t’u konsumuar, sipas CDC. Por, produktet e papasterizuara, duke përfshirë djathin, kosin ose akulloren, kanë më shumë gjasa të përmbajnë mikrobe të rrezikshme, si listeria, salmonela ose E. coli. Shmangni bulmetin që është ruajtur në temperaturën e dhomës ose është lënë jashtë.

Uji i rubinetit

Uji i ndotur është një shkak parësor i “diarresë së udhëtarit”. “Meqenëse patogjenët nuk janë të dukshëm me sy të lirë, është e vështirë të dallosh nëse uji është i sigurt për t’u pirë”, tha Baum. “Sa herë që nuk jeni të sigurt për sigurinë e ujit, pini ujë në shishe të mbyllur dhe hiqni akullin nga pijet. Ju gjithashtu mund të zieni ujin për të paktën një minutë”, tha dietologia Baum.

Ushqimi i rrugës

Të provuarit e një ushqimi që shitet në rrugë nga ambulantët, si një mënyrë për të provuar kuzhinën lokale, nuk është aspak argëtuese. Sepse ushqimi apo pijet që kanë qëndruar në tokë për një kohë të gjatë, pa standardet e sigurisë rrezikon seriozisht infektimin tuaj. Shmangini këto pije dhe ushqime nga shitësit ambulantë. Ushqimet në restorante, apo ato që gatuhen në një skarë në moment janë më të sigurt.