Ushtarët izraelitë ndërhynë ndaj protestave të palestinezëve në Bregun Perëndimor

Ushtarët izraelitë ndërhynë në protestat e palestinezëve kundër vendbanimeve hebraike në qytetin e pushtuar të Nablusit në Bregun Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas burimeve lokale, me thirrjen e grupeve palestineze qindra njerëz u mblodhën në hyrje të vendbanimit Beyta në Nablus për të protestuar kundër vendbanimeve ilegale hebraike.

Ushtarët izraelitë ndërhynë me gaz lotsjellës dhe plumba gome, ndërsa palestinezët u përgjigjën me gurë dhe duke djegur goma në rrugë.

Sipas informacionit të marrë nga ekipet mjekësore, në sulmin e ushtarëve izraelitë dhjetëra palestinezë u prekën nga gazi lotsjellës.

– Vendbanimet ilegale hebreje dhe Muri i Ndarjes

Në Bregun Perëndimor ka më shumë se 250 vendbanime ilegale hebreje, që Izraeli pushtoi në vitin 1967. Më shumë se 500.000 kolonë hebrenj që jetojnë në këto vende e bëjnë jetën edhe më të vështirë për palestinezët që jetojnë nën okupim në Bregun Perëndimor.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebreje në territoret e okupuara konsiderohen të paligjshme.

Pas Intifadës së dytë që shpërtheu në Palestinë në vitin 2000, administrata Izraelite filloi ndërtimin e një “Muri Ndarës” midis Bregut Perëndimor dhe Izraelit në vitin 2002 për arsye “sigurie”. Për shkak të Murit të Ndarjes, gati 3 milionë palestinezë në Bregun Perëndimor nuk mund të kalojnë në Kudsin Lindor të okupuar dhe në Izrael.

Në protestat javore të së premtes kundër Murit të Ndarjes dhe ndërtimit të paligjshëm të vendbanimeve hebraike ushtarët izraelitë reagojnë me plumba të vërtetë dhe me plumba gome, si dhe gaz lotsjellës dhe nganjëherë me topa uji të mbeturinave. /aa