Ushtria izraelite bombardon Gazën në shkelje të re të armëpushimit

Forcat izraelite kanë bombarduar dhe kryer sulme ajrore në disa zona të Rripit të Gazës të dielën, në një shkelje të re të marrëveshjes së armëpushimit, thanë zyrtarë dhe dëshmitarë në Gaza.

Sipas raportimeve, avionët luftarakë dhe artileria izraelite goditën disa lokacione në lindje të Khan Younis, zonë e shpallur si “zonë e ndaluar” nga ushtria izraelite. Forcat detare izraelite gjithashtu hapën zjarr në brigjet e Khan Younis.

Dy peshkatarë palestinezë u arrestuan nga forcat izraelite, ndërsa varka e tyre u hodh në erë në det, sipas burimeve të sigurisë. Sulme u raportuan edhe në pjesët lindore të qytetit të Gazës, në veri të enklavës.

Autoritetet në Gaza thanë se Izraeli ka shkelur vazhdimisht armëpushimin që hyri në fuqi më 10 tetor, duke vrarë të paktën 386 palestinezë dhe plagosur mbi 1,000 të tjerë që nga ajo kohë.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme dhe Sigurisë Kombëtare në Gaza njoftoi se një nga oficerët e saj u vra nga persona të panjohur në kampin Al-Maghazi, në Deir al Balah. Një i dyshuar është arrestuar dhe hetimet po vazhdojnë.

Që nga tetori 2023, mbi 70,300 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe më shumë se 171,000 janë plagosur nga sulmet izraelite në Gaza. /mesazhi